
Gjykata liron nga akuza të akuzuarën për shpëlarje parash
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim lirues të enjten ndaj D.Sh., e cila akuzohej për shpëlarje parash.
Aktgjykimi u shpall nga gjykatësi i rastit, Rrahman Beqiri.
“Lirohet nga akuza për shkak të veprës penale ‘Shpëlarje parash’, tha gjykatësi.
Gjithashtu, gjykatësi Beqiri njoftoi se për realizimin e kërkesës pasurore nuk ka pasur palë të dëmtuar dhe se shpenzimet e procedurës gjyqësore bien në barrë të gjykatës.
Gjykatësi po ashtu njoftoi edhe për afatin prej 30 ditësh për ankesë nga pala e pakënaqur- PSRK, pasi vendimi të pranohet me shkrim.
Sipas aktakuzës, D.Sh. ka qenë në dijeni se paratë të fituara nga babai i saj kanë pasur prejardhje nga aktiviteti kriminal, dhe edhe pse ka pasur dijeni ose është dashur të ketë dijeni se këto para kanë ardhur nga aktiviteti kriminal i B.Sh., ka pranuar shumën prej 27 mijë e 199 euro në kontratën e RPKO shumë të cilën ka përdorur për blerjen e shtëpisë ne lagjen “Kalabria”, ku me këtë e ndihmon babanë e saj B.Sh. në kryerjen e veprës penale në bashkëkryerje “Shpëlarje e parasë” në vlerë prej 27 mijë e 199 eurove.
Me këtë, akuzohej se ka kryer veprën penale “Shpërlarje e parave” nga Neni 308 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, lidhur me Nenin 32 paragrafi 2 të Ligjit për Parandalimin e Shpëlarjes së Parave dhe Financim të Terrorizmit lidhur me Nenin 31 të Kodit Penal.
Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 30 prill 2014, kishte marrë aktgjykim me anë të së cilit i akuzuari B.Sh. ishte gjetur fajtor dhe ishte dënuar me tre vjet e dy muaj burgim, ku përpos dënimit me burgim, ndaj B.Sh. gjykata kishte shqiptuar edhe dënim plotësues, dhe atë, konfiskimin e pasurisë.
Gjykata, të akuzuarit B.Sh. ia kishte konfiskuar shtëpinë e tij në lagjen “Emshir”, në sipërfaqe prej 298 m2, garazhin me sipërfaqe prej 30 m2 dhe një veturë të tipit “Land Rover”.
Ndaj këtij vendimi, kishte bërë ankesë mbrojtësja e Sh, avokatja Fehmije Gashi–Bytyqi duke pretenduar se shkalla e parë ka bërë shkelje të dispozitave të procedurës penale, për vendimin mbi dënimin dhe për vendimin për konfiskimin.
Me vendimin e 6 tetorit 2015, Apeli, ankesën e avokates lidhur me vendimin mbi dënimin e kishte refuzuar si të pabazuar, ndërsa e kishte aprovuar ankesën vetëm sa i përket vendimit mbi dënimin plotësues, përkatësisht vendimin për konfiskimin e pasurisë. Shkalla e dytë ka theksuar se instanca e parë në vendimin për konfiskimin e pasurive përkatëse nuk e ka arsyetuar në mënyrë të saktë vendimin për konfiskimin e secilës pasuri.
B.Sh akuzohej se në vitet 2007 – 2012, si person zyrtar, derisa ishte duke punuar në Radio Kosovë, në pozitën shef i kontabilitetit, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, ka përvetësuar shumën prej 331,350.87 eurove.
Sipas aktakuzës, B.Sh, mjetet të cilat i ishin besuar atij si shef i kontabilitetit në Radio Kosovë, nga llogaria bankare e Radio Televizionit të Kosovës, i ka bartur në llogarinë e firmës së tij, NSH “Pastrimi”.
Me këtë rast, sipas aktakuzës, dëmi që i është shkaktuar Radio Kosovës, arrin shumën prej 331,350.87 eurove.
Tutje, në dispozitivin e dytë të aktakuzës thuhej se B.Sh., si shef i kontabilitetit në Radio Kosovë, me qëllim që vetes t’i sjell përfitim pasuror të kundërligjshëm, me mjetet e Radio Kosovës kishte blerë 12 radiatorë për ngrohje qendrore, në vlerë të përgjithshme prej 1.061,50 eurove.
Këta radiatorë, sipas Prokurorisë, i pandehuri Sh. i ka përvetësuar për vete duke i dërguar në shtëpinë e tij, me çka të dëmtuarës Radio Kosova i ka shkaktuar dëm material.
Më këto veprime të tij, sipas prokurorisë, i akuzuari B.Sh. kishte kryer veprën penale “Përvetësim në detyrë”. /BetimipërDrejtësi