
Gjykata ua cakton masën e arrestit shtëpiak 10 të dyshuarve për bixhoz në Suharekë
Gjykata Themelore në Prizren - Dega në Suharekë ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prizren për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dhjetë të dyshuarve për bixhoz të paligjshëm.
Ndaj tyre është caktuar masa e arrestit shtëpiak.
Zëdhënësi i gjykatës, Marcel Lekaj, deklaroi se vendimi është marrë të dielën.
“Referuar pyetjeve tuaja për informacion, ju njoftojmë si në vijim: Më datë 02.03.2025, Gjykata Themelore – Dega në Suharekë, ka marrë Aktvendim, është REFUZUAR kërkesa e Prokurorisë së Shtetit për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 10 të pandehurve dhe ndaj tyre është caktuar masa e arrestit shtëpiak, e cila mund të zgjasë deri më datë 01.04.2025, për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri L.R. ka kryer veprën penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’, nga Neni 294, par. 2 i KP-së, kurse të pandehurit P.B. B.Q., F.C., B.K., P.Sh., N.R., S.B., R.A. dhe M.Sh. për veprën penale ‘Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’, në bashkëkryerje, nga Neni 294, par. 2, lidhur me Nenin 31 të KP-së”, deklaroi ai për Klankosova.tv
Lekaj theksoi se gjyqtari i procedurës paraprake, pasi i ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës dhe ka dëgjuar pretendimet e palëve, ka arritur në përfundim se kërkesa e Prokurori të Shtetit është e pabazuar, duke e konsideruar si masë të rëndë për sigurimin e prezencës së të pandehurve në këtë fazë të procedurës penale, ndërsa ka vlerësuar se janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak.