
Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarës për spiunazh
Gjykata Themelore në Prishtinë ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), duke ia caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh të dyshuarës për spiunazh, J.Gj.
Lajmin e ka konfirmuar Mirlinda Gashi, zëdhënëse e kësaj Gjykate.
Masa e paraburgimit, të dyshuarës iu caktua nga gjykatësi i procedurës paraprake, pas mbajtjes së seancës dëgjimore.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), të premten (28 shkurt 2025) njoftoi se pas zhvillimit të hetimeve disamujore, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Kundër Terrorizmit dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, në regjionin e Mitrovicës ka arrestuar të dyshuarën për spiunazh.
“E njëjta, me aktvendim të Prokurorit të Shtetit nga Prokuroria Speciale është ndaluar prej 48 orësh dhe për momentin nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës janë duke u kryer bastisje në banesën e të dyshuarës, me qëllim të sigurimit edhe të provave tjera material. Ndërkohë, prokurori i shtetit, ndaj të dyshuarës do të ndërmarr të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për zhvillimin e suksesshëm të procedurës penale”, thuhej në njoftim.
J.Gj., dyshohet se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Spiunazhi”, nga neni 124, paragrafi 3 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi