Aksioni kundër fajdeve në Prizren, të dyshuarit jepnin para me kamata mujore deri në 20%
Foto: Laura Hasani

Aksioni kundër fajdeve në Prizren, të dyshuarit jepnin para me kamata mujore deri në 20%

Kronika February 25, 2025 - 14:01

Prokuroria Themelore në Prizren ka dhënë detaje në lidhje me aksionin e sotëm, ku janë arrestuar dy persona të dyshuar për fajde.

Prokuroria ka njoftuar se pas një hetimi disamujor në bashkëpunim me Njësinë Rajonale të Policisë në Prizren, Drejtorinë për Krim të Organizuar dhe Njësinë NJSO, është realizuar kontroll në dy lokacione, me ç’rast janë arrestuar dy të dyshuar, D.G. dhe L.G., transmeton Zeri.info.

“Të pandehurit e arrestuar dyshohet se duke shfrytëzuar gjendjen e rënduar financiare të viktimës, i kanë dhënë të holla me kamata mujore prej 15% - 20%. I dëmtuari disa herë ka paguar kamata dhe kur i njëjti nuk ka arritur që t’i paguajë kamatat mujore, të pandehurit i kanë vënë kamata javore, me ç’ rast si rezultat i kamatave të larta, kanë arritur vlera të papërballueshme për viktimën”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Kontrolli është realizuar në regjionin e Prizrenit, ku pas grumbullimit të provave gjatë aplikimit të masave të veçanta hetimore në terren, të pandehurit janë arrestuar.

Po ashtu është bërë e ditur se gjatë këtij aksioni Prokurori i Shtetit ka sekuestruar dy automjete, armë, të holla të gatshme dhe prova tjera materiale, në drejtim të veprës së lartcekur. /Zëri