
Nëna e të plagosurve në Klinë: Sot kam mundur t’i kisha katër viktima në shtëpi
Një incident ka ndodhur mbrëmë në fshatin Jashanicë të Klinës.
Të lënduarit janë: Neziri, Esmiri, Semiri dhe Enisi, dy prej të cilëve kishin ardhur nga Italia vetëm tri ditë më parë.
E shqetësuar dhe e tronditur, për ngjarjen ka folur nëna e tyre, Hasibe Bullaku, e cila shprehet se gjithçka mund të kishte përfunduar tragjikisht.
Sipas saj, konflikti mes familjes së saj dhe familjes Hoti kishte nisur para shtatë vjetësh, kur një nga djemtë e saj aksidentalisht kishte goditur një lopë që i përkiste familjes së përmendur.
“Para 7 vjetëve e kemi pasur atë problem me lopën. Djali im, pa dashje, në rrugë i ka dalë para kerrit dhe e ka goditur. Pasi ndodhi kjo, ata deshën të ma vrisnin djalin. U pajtuam dhe mendoja se gjithçka ishte mbyllur, por sot kam mundur të kisha 4 viktima në shtëpi. Lopën ua kemi dhënë, e kanë ngrënë. Unë i kam rritur me mundime dhe varfëri, por ata mund të m’i linin 6 jetimë. Familja e tyre ka pasur gjithmonë probleme”, ka deklaruar ajo për Indeksonline.
Ndryshe, katër të plagosurit janë duke u trajtuar në Spitalin e Pejës.