
Katër të plagosurit në Klinë janë vëllezër, Policia dhe Prokuroria japin detaje
Prokuroria Themelore në Pejë dhe Policia e Kosovës kanë konfirmuar se janë arrestuar dy të dyshuarit për plagosjen që ndodhi mbrëmë në komunën e Klinës.
Sipas informatave, katër viktimat janë vëllezër, por që arsyet që kanë çuar deri te konflikti ende nuk janë të ditura për Prokurorin e Policinë.
Zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, ka konfirmuar se pas një operacioni intensiv janë lokalizuar dhe arrestuar të dyshuarit.
Ai theksoi se hetimet janë në fazën fillestare dhe se viktimat do të intervistohen pasi të marrin trajtimin mjekësor.
“Lidhur me këtë çështje dyshohet se ka pasur të shtëna me armë zjarri ku në vendin e ngjarjes ka dal Policia e Kosovës, ku në vendin e ngjarjes ka dal menjëherë Policia e Kosovës ku ka hasur në njërën nga viktimat. Ku më pas në spitalin Rajonal të Pjesë kanë kërkuar ndihmë mjekësore dhe janë duke u trajtuar edhe tre persona të tjerë, ndërkaq personat e dyshuar janë larguar nga vendi i ngjarjes. Pas një punë operative policore intensive janë lokalizuar dy personat e dyshuar dhe më pas janë arrestuar dhe të njëjtit pas intervistimit nga hetuesit në praninë e avokatëve mbrojtës me urdhër të prokurorit të shteti janë ndaluar për 48 orë dhe brenda afatit ligjor prokurori i shtetit do të parashtroj kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit”, ka thënë Nikçi për EO.
Nikçi ka thënë se të dy personat janë në procedurë penale.
“Është fazë shumë e hershme për të folur për dyshimet. Ajo çka është relevante është se dy persona i kemi në procedurë penale dhe njëkohësisht janë duke u trajtuar viktimat dhe ku me pas do të intervistohen, do të intervistohen edhe personat e mundshme të tjerë që mund të kenë informata dhe gjithashtu do të sigurohen provat që do të shërbejnë në procedurë penale”, ka thënë ai.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Pejës, Fadil Gashi, tha se Policia ka sekuestruar armën që dyshohet se është përdorur në rast, si dhe një mjete të mbrehta.
“Do të thotë mbrëmë rreth orës 22:40 minuta Policia është njoftuar se në rrugën ‘Ilir Merkuri’ në Klinë ka të shtëna me armë zjarri. Policia me kërkesë i është përgjigjur me të arritur në vend të ngjarjes ka takuar një person të lënduar, të cilin e ka transferuar për në Emergjencë të Spitalit Rajonal në Pejë. Gjithashtu edhe tre personat të janë dërguar për në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Pejë. Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, pas pak kohë policia ka arritur të identifikojë lokacionin dhe t’i arrestojë dy të dyshuar lidhur me rastin. Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje. Vlen të ceket se arma e cila dyshohet se është përdorur në rast është sekuestruar nga njësitë kompetente. Gjithashtu është konfiskuar një mjet i mbrehtë”, ka thënë ai.