
Plagosja në Klinë, policia arreston dy të dyshuar
Dy të dyshuar janë arrestuar për plagosjen që ndodhi mbrëmë në Klinë.
Kështu ka bërë të ditur Policia, përmes një njoftimi, duke treguar se gjatë arrestimit janë gjetur dhe sekuestruar: një armë pistoletë M57, një karikator i së njëjtës armë, pesë fishekë, dy gëzhoja dhe një brisk.
Njoftimi i plotë i Policisë, pa ndërhyrje:
Policia e Kosovës arreston dy (2) persona të dyshuar për veprën penale “Vrasje në tentativë”
Pejë, 24 shkurt 2025
Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, Stacionin Policor në Klinë, me datën 23.02.2025, rreth orës 22:40, është njoftuar se në rrugën “Ilir Merturi” në Klinë, ka të shtëna me armë zjarri.
Policia menjëherë i është përgjigjur rastit, ku në vendin e ngjarjes kanë hasur njërin nga viktimat, i cili ishte i shtrirë dhe i lënduar. I njëjti është dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë, gjithashtu edhe tre (3) të lënduarit tjerë janë dërguar në Spitalin Rajonal në Pejë.
Të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur, ku pas një pune intensive të njësiteve policore, është arritur identifikimi dhe arrestimi i dy (2) personave të dyshuar.
Gjatë arrestimit janë gjetur dhe janë sekuestruar:
• Një (1) armë pistoletë M57
• Një (1) karikator i së njëjtës armë
• Pesë (5) fishekë kal: 7.62 mm
• Dy (2) gëzhoja kal: 7.62 mm
• Një mjet i mprehtë (brisk).
Të dyshuarit, pas intervistimit nga hetuesit, me urdhër të prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. /Zëri
