Vrasja e Triumf Rizës, i akuzuari Rrahim Abdullahu deklarohet i pafajshëm

Vrasja e Triumf Rizës, i akuzuari Rrahim Abdullahu deklarohet i pafajshëm

Kronika February 21, 2025 - 14:45

Në Gjykatën Themelore të Prishtinës, këtë të premte, i akuzuari Rrahim Abdullahu është deklaruar i pafajshëm për akuzën se në bashkëkryerje me Arben Berishën, Fitim Avdiun, Enver Sekiraqën dhe Ilir Abdullahun kanë vrarë ish-policin Triumf Riza.

Deklarimin rreth fajësisë i akuzuari e bëri pas njoftimit të kryetarit të trupit gjykues, gjyqtarit Valon Kurtaj, i cili njoftoi se është bërë bashkimi i procedurës për të njëjtin me arsyetimin e ekonomizimit të procedurës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, seanca vazhdoi me dhënien e fjalës hyrëse, nga palët në këtë procedurë.

Prokurorja e rastit Arberesha Raça – Shala, deklaroi se Prokuroria Speciale konsideron dhe është fuqishëm e bindur se me provat që do administrohen në procedurë penale do të vërtetohet në tërësi ashtu siç është përshkruar në dispozitiv të aktakuzës gjendja faktike dhe gjendja juridike, përkatësisht përcaktimi ligjor i veprës penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”.

“Andaj, konsideroj që pas mbajtjes së seancave të shqyrtimit gjyqësor, dëgjimit të dëshmitarëve dhe administrimit të provave materiale, gjykata do merr vendim me të cilin të pandehurit do t’i shqiptoj sanksionin penal të parashikuar në Kodin Penal”, tha prokurorja Shala.

Edhe babai i Triumf Rizës, Shefqet Riza, në fjalën hyrëse theksoi se dy të akuzuarit ishin persona recidivist dhe sipas tij e kishin përcjellë djalin e tij, tani të ndjerin Trium Riza.

Fjalën hyrëse para trupit gjykues e paraqiti edhe mbrojtësi i të akuzuarit Ilir Abdullahu, avokati Ramë Dreshaj, i cili ndër të tjera theksoi se konsideron se me administrim të provave të propozuara nga prokuroria, kur të analizohen nga trupi gjykues do të sjellin një vendim jo tjetër, por lirues, nga fakti se aktakuza sipas tij është në “këmbët e qelqit”.

“Mund të deklaroj lirshëm se kjo aktakuzë është e përpiluar në bazë të thashethemeve”, tha ai

Tutje, mbrojtësi i të akuzuarit Rrahim Abdullahu, avokati Xhemajl Ademi deklaroi se aktakuza nuk ka mbështetje në prova të ligjshme dhe se e njëjta sipas tij është e ndërtuar mbi bazën e deklaratave të dëshmitarëve që disa herë i kanë ndryshuar.

Ndërsa, vetë i akuzuari Rrahim Abdullahu deklaroi se pajtohet me deklarimet e mbrojtësit të tij, duke shtuar ndër të tjera se me tani të ndjerin Triumf Rizën nuk kishe pasur punë asnjëherë.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 2 shtator 2024 ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, kundër të pandehurit Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”.

Abdullahu akuzohet se në bashkëkryerje me tani të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, si dhe të pandehurin Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, si grup i organizuar nga Sekiraqa, të shtyrë nga motivi i hakmarrjes së paskrupullt, me dashje që ta privojnë nga jeta tani të ndjerin Triumf Riza, për arsye se tani i ndjeri, më 24 dhjetor 2005 në lokalin “Swiss Casino” në Prishtinë, e kishte rrahur tani të dënuarin Sekiraqa, ku ky i fundit kishte qenë i shtrirë në spital, se pas njoftimit me Adelina Ismailin, i njëjti nuk ka lejuar që t’i japë reket- të holla si më parë.

Më tej, thuhet se për arrestimin dhe rrahjen e tij në Ferizaj më 22 maj 2006 nga ana e pjesëtarëve të SHPK-së, Sekiraqa kishte akuzuar tani të ndjerin Triumf Riza se janë të shtyrë nga ana e tij, andaj janë marrë vesh që tani të ndjerin ta privojnë nga jeta.

Në aktakuzë thuhet se një kohë kanë përcjellë me vetura lëvizjet e Rizës dhe më 30 gusht 2007 derisa Arben Berisha, Enver Sekiraqa, Rrahim Abdullahu dhe Ilir Abdullahu kanë qenë në lokalin “Sekiraqa”, tani i dënuari Avdiu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të akuzuarit Abdullahu me përmbajtjen “Parking te Grandi, kojshija e kish dramen“, duke aluduar në Rizën, i cili banesën e kishte përballë lokalit “Sekiraqa”, ndërsa në atë kohë ka qenë në hotelin “Grand”.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi e kishte marrë njoftimin tani i dënuari Berisha dhe të pandehurit Ilir Abdullahu e Rrahim Abdullahu, me veturë kanë shkuar te lokali “Quins”, ku tani i dënuari Berisha, i armatosur më parë me pistoletë ka hyrë në një lokal, ndërsa i pandehuri Ilir dhe i pandehuri Rrahim kanë hyrë në një lokal tjetër, për të pritur Rizën, pasi ky i fundit pothuajse çdo ditë ishte mysafir i atij lokali.

Më pas, thuhet se i pandehuri Rrahim Abdullahu, përmes telefonit të tij, i ka dërguar mesazh tani të dënuarit Berisha, derisa ka qenë duke qëndruar ulur në tarracën e një lokali afër lokalit AMPM, me përmbajtjen “rri qatu hin mrena se mir je, ma von te thirri“, pasi që Riza ishte parë te lokali AMPM.

Në aktakuzë thuhet se në momentin kur Riza ka dalë nga lokali dhe ka qenë afër automjetit të tij, tani i dënuari Berisha me vrap ka shkuar drejt tij dhe në mënyrë dinake, kur Riza nuk ka pritur kurrfarë sulmi, me shpinë të kthyer nga ai, nga një distancë prej 5 metrash, me pistoletë ka shtënë 11 herë me tri rafale të shkurtra, duke e goditur me 2 plumba në shpinë, ku plumbat, për shkak të veprimit dinamik, kanë depërtuar nëpër aortë, zemër dhe mushkëri, nga të cilat lëndime ai ka vdekur, ndërsa me një plumb është goditur në kofshën e këmbës së djathtë.

Me këtë veprim, i akuzuari Ilir Abdullahu, në bashkëkryerje me të dënuarit Arben Berisha e Fitim Avdiu, dhe të pandehurit Enver Sekiraqa dhe Rrahim Abdullahu, akuzohen se kanë kryer veprën penale të “Vrasjes së rëndë’, nga Neni 147, paragrafi 1, nënparagrafët 3 dhe 9, lidhur me Nenin 23 të Kodit të Përkohshëm Penal të Kosovës.

Ilir Abdullahu, i njohur me nofkën “Liza”, u arrestua më 16 korrik 2023, pasi për vite me radhë kërkohej si i dyshuar për vrasjen e Triumf Rizës.

Për Triumf Rizën është duke u gjykuar edhe Enver Sekiraqa, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit. Sekiraqa më 3 maj 2024 u dënua me 25 vjet burgim. I njëjti gjendet në arrati.