
Kapen në Gjermani dhe Britani të Madhe dy shqiptarët e kërkuar ndërkombëtarisht
Policia e Shqipërisë ka vijuar bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për lokalizimin dhe ndalimin e shtetasve të shpallur në kërkim. Strukturat e specializuara dhe Interpol Tirana bënë të mundur kapjen e dy personave në Gjermani dhe Mbretëri të Bashkuar.
Në Gjermani u arrestua 21-vjeçari Danjel Lalaj lindur në Pukë, i cili ishte shpallur në kërkim nga GjKKO që prej vitit 2021. Ai akuzohet për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.
Ndërkohë, në Mbretëri të Bashkuar u ndalua 25-vjeçari Bekim Çelaj lindur në Tropojë. Ai ishte në kërkim nga autoritetet shqiptare për “Kultivimin e bimëve narkotike” dhe “Mbajtjen pa leje të armëve dhe municionit”, për të cilat Gjykata kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” që prej vitit 2022.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologët, për finalizimin e procedurave për ekstradimin e dy shtetasve, në Shqipëri.