Aktakuzë për Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin, të dyshuar për spiunazh

Aktakuzë për Bedri Shabanin dhe Muharrem Qerimin, të dyshuar për spiunazh

Kronika February 20, 2025 - 11:26
Ata dyshohen për spiunim për BIA-n serbe

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, pas zhvillimeve të hetimeve, ka ngritur aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Departamentin Special, ndaj dy të pandehurve B.Sh. dhe M. Q.

Për dy të pandehurit B.Sh dhe M. Q. ekziston dyshimi i bazuar mirë se secili veç e veç, me veprimet e tyre e kanë kryer veprën penale “Spiunazhi’’ nga neni 124 paragrafi 3 i KPRK–së, kurse, i pandehuri M.Q edhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” nga neni 366 par. 1 të KPRK-së.

Prokurori i shtetit nga Prokuroria Speciale i ka propozuar gjykatës që pas shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të njëjtit t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënoj sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, prokurori i rastit, ka kërkuar nga gjykata që të pandehurve tu vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundimin e shqyrtimit gjyqësor, ngase ende ekzistojnë kushtet ligjore për vazhdimin e masës së tillë.

Ndryshe, Muharrem Qerimi dhe Bedri Shabani janë arrestuar para disa muajsh nën dyshimin për spiunazh. Të njëjtit dyshohet se kanë bashkëpunuar me BIA-n serbe.

Policia kishte njoftuar se hetimet kanë nisur qysh në vitin 2023.

Gjatë kontrollit në lokacionin e dy të dyshuarve meshkuj kosovarë në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe sekuestruar dokumente të ndryshme, kompjuter, telefona, USB, DVR, kaseta, armë dhe municione, maska, gazmaska ushtarake si dhe shumë dëshmi të tjera.