Zjarri te Tregu i Gjelbër, Gashi: Dëmet janë të mëdha

Zjarri te Tregu i Gjelbër, Gashi: Dëmet janë të mëdha

Kronika February 20, 2025 - 09:23

Një numër i madh i zjarrfikësve ndodhet te Tregu i Gjelbër për të shuar zjarrin që kaploi disa lokale te Tregu i Gjelbër, që nisi herët në mëngjesin e sotëm.

Ndonëse dëmet deklarohen të mëdha, ende nuk dihen shkaqet rreth këtij zjarri.

Mal Gashi, u.d. i detyrës i komandantit të Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, ka njoftuar se ekipet e zjarrfikësve janë duke lokalizuar zjarrin deri në shuarjen e tërësishme të tij.

“Në orën 05:45 është pranuar informatë për një zjarr këtu te Tregu i Gjelbër. Janë përfshirë të gjitha lokalet që mbajnë produkte të ndryshme, si pemë, perime, kafene dhe qebaptore dhe një lokale për pajisje elektronike. Ekipet kanë reaguar shumë shpejt dhe profesionale”, tha Gashi.

Ai tha se lokalet janë të ndërlidhura me njëra – tjetrën, ndërsa zjarrfikësit sipas tij janë duke bërë eliminimin e tërësishëm të zjarrit.

Gashi tha se dëmet janë të mëdha.

Ai njoftoi se shkaqet mund të mësohen vetëm pas eliminimit të zjarrit dhe krijimit të kushteve për një hulumtim si ka ardhur deri te ky zjarr.

“Puna jonë është çështje operative, me krijimin e kushteve për hulumtim fillojnë organet e tjera punën”, tha ai para mediave.