![Detaje nga djegia e lokaleve te Tregu i Gjelbër në Prishtinë [video]](/uploads/zeri.info/images/2025/February/20/auto_zjarri-2-1600x9001740037552.jpg)
Detaje nga djegia e lokaleve te Tregu i Gjelbër në Prishtinë [video]
Gjashtë lokale te Tregu i Gjelbër në Prishtinë sot në orët e mëngjesit janë përfshirë nga flakët.
Zjarrfikësit dhe Policia tashmë kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Malë Gashi, komandant i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë, tha se në orën 05:45 kanë pranuar informatë për zjarr në lokalet te Tregu i Gjelbër.
“Ekipet menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes. Me të arritur është parë se zjarri kishte shpërthyer dhe kishte përfshirë 6 lokale”, tha ai.
Gashi tutje bëri të ditur se është bërë ndërprerja e përhapjes së zjarrit dhe për një kohë të shkurtër është vënë nën kontroll.
“Aktualisht jemi në eliminimin e tërësishëm te zjarrit”, u shpreh komandanti i Brigadës së Zjarrfikësve në Prishtinë.
Ndërkaq, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha për "Zërin", se rreth orës 05:40, kanë pranuar informatën për një zjarr që ka përfshirë disa lokale në rrugën “Ilaz Agushi” në Prishtinë.
“ Sot rreth orës 05:40, kemi pranuar informatën për një zjarr që ka përfshirë disa lokale në rrugën ‘Ilaz Agushi’ në Prishtinë. Në vendngjarje kanë dalë zjarrfikësit dhe policia të cilët janë duke u marrë me rastin. Nuk raportohet për persona të lënduar”, tha Ahmeti. /Zëri