Sot, seanca gjyqësore për vrasjen e dy vëllezërve në Madanaj të Gjakovës

Sot, seanca gjyqësore për vrasjen e dy vëllezërve në Madanaj të Gjakovës

Kronika February 20, 2025 - 08:16

Sot do të mbahet seancë gjyqësore për rastin e vrasjes së dy vëllezërve Islamaj në Madanaj të Gjakovës.

Seanca nis në orën 10:00 dhe mbahet në Gjykatën Themelore në Gjakovë.

Sakaq, Prokuroria Themelore në Gjakovë më 19 dhjetor të vitit të kaluar, pati ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Gj.Gj., dhe Z.A. të përfshirë për një vrasje të dyfishtë në Madanaj të Gjakovës, më 25 qershor të vitit 2023.

Në njoftimin e prokurorisë thuhej se ata akuzohen për veprat penale “Vrasja e rëndë në bashkëkryerje”, dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të pa autorizuar të armëve”.

Sipas aktakuzës, po ashtu cekej se “të pandehurit Gj.Gj. dhe Z.A., me dt.25.06.2023, në f.sh.”M…” – K.Gjakovë, duke vepruar në bashkëkryerje, me dashje privojnë nga jeta tani të ndjerët B.I., dhe H.I., ku në ditën kritike dy të pandehurit takohen me viktimat në rr.”Q…” në f.sh.”M…”, dhe në fjalosje e sipër të pandehurit kanë shtënë me armë zjarri disa herë në drejtim të viktimave, ku si pasojë ndërrojnë jetë viktimat B.I. dhe H.I”, thuhet në njoftim.

Dyshohet se viktimat dhe të akuzuarit kishin pasur një mosmarrëveshje mes vete dhe se deri te qërimi tragjik i hesapeve dyshohet se çoi një mosmarrëveshje e moçme për një truall, siç e kishte konfirmuar zëdhënësi policor për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Vërejtje:

Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.