
Vushtrriasi e rrah gruan pasi i preu flokët pa e pyetur
Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen ngjarje të tilla ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike kryesisht nga bashkëshortët e tyre.
Kështu ka ndodhur së fundmi në një familje në Vushtrri, ku një burrë po dyshohet se ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur në shtëpinë e tyre, kur plasi një konflikt verbal mes çiftit dhe burri u kap e gruan, duke e goditur disa herë e madje duke e kapur edhe për flokësh.
Sipas informacioneve të para, motivi lidhet me prerjen e flokëve të gruas, për çka i dyshuari u përplas me të, duke i kërkuar llogari pse i ka prerë flokët pa e pyetur.
Përballë kësaj situate, viktima e ka denoncuar rastin në Polici, ku ka rrëfyer detajet e asaj që kishte ndodhur.
Si rezultat i raportimit, Policia është aktivizuar por nuk ka arritur ta kap të dyshuarin.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të iniciohet rasti nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.