
“M’u duk më e rrugës ta varrosi diku vetë”, dy të akuzuarit japin versionet e tyre për rastin e vrasjes së biznesmenit Bedri Rexhepi
Seanca e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj Jeton e Nexhat Vllasaliut, të cilët po akuzohen për vrasjen e biznesmenit Bedri Rexhepi, vazhdoi me dhënien e mbrojtjes nga të akuzuarit.
I akuzuari Jeton Vllasaliu dha versionin e tij se si kishte ndodhur rasti dhe si e kishte varrosur tani të ndjerin. Kurse, i akuzuari Nexhat Vllasaliu tha se as sot nuk e di të vërtetën dhe se nuk ka lidhje me rastin.
Gjatë mbrojtjes, i akuzuari Jeton tha se ishte rrugës me veturë me tani të ndjerin Rexhepi, kur ishin ndaluar nga katër persona. Tha se ai u largua me dy prej tyre nga vetura e të cilët ishin të maskuar, kurse tani i ndjeri ishte në një distancë prej 40 metra me dy të tjerë, gjë që zgjati rreth dy minuta, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas tij, kur u larguan ata persona, i thanë se tash e tutje ai ka punë me të (Bedri Rexhepin) dhe se ku u afrua e pa se ishte në tokë.
“Momentin që më kanë lëshu, m’i kanë thanë dy fjalë: “këqyr çka po bën me të nderin Bedriun se këtu e knena ke ti punë me ta”. Dhe unë jam afru dhe e kam pa në tokë, jam mundu me i dhanë ndihmën e parë aq sa kam ditë dhe sa kam mujt, por e kam pa që është e kotë”, tha i akuzuari Jeton.
I akuzuari tha se atë ditë ishte shumë i stresuar e ngarkuar dhe se ishte munduar t’ia japë ndihmën e parë, por që e pa se s’kishte efekt. Tha se i ishte dukur e rrugës që tani të ndjerin ta varroste vetë diku.
“Ndoshta nga ndihma jem e parë kam mundur ta lëndoj, e kam hap kerrin, e kam qit në karrige dhe kam vazhduar për në fshatin tim… një kaci edhe një kazmë, dhe e pshtjella trupin e të nderit dhe me atë makinë e çova, mu m’u duk që është vend ma i sigurt për me varrosë të ndjerin”, tha i akuzuari Jeton.
Ai tha se tani të ndjerin e kishte dërguar në arat e Janjevës dhe e kishte lënë aty, më pas ishte nisur këmbë, e që pastaj ishte takuar me vëllain- tani të akuzuarin Nexhat të cilin e kishte thirrë dhe ishin nisur me veturë.
“Të nesërmen isha duke e kry një objekt në fshatin Llapashticë, kisha një agregat dhe pak mjete pune që më kishin mbetë pasi që isha veç në përfundim dhe e kam marrë agregatin dhe ja kam pru Nexhatit ku ish tu punu në Hajvali”, tha ai.
I akuzuari i tregoi se pesë ditë para rastit ishte arrestuar dhe se gjatë kësaj kohë nuk kishte biseduar me askënd për ngjarjen.
“Nuk e di, nuk e di pse nuk e kam paraqitë, megjithëse tani veç u gjet kerri dhe ja nisën bisedat unë isha edhe në Polici në Lipjan, të nesërmen më 9 po nuk kam treguar se qysh ka ndodhë rasti”, tha ai.
Sipas tij, në ditën kur ishte arrestuar vëllai Nexhati dhe kunata, i bashkuan në zyrën e prokurorit, ngase tha se nuk i ishte kujtuar vendi ku e ka dërguar tani të ndjerin shkaku që ka qenë natë.
“Kemi bisedu me Nexhatin në zyrën e prokurorit se më humbi vendi, nuk mujsha me e gjet pasi që nga paslufta atë vend nuk e kom hec ma dhe nuk isha i kjartë se ku mundet me kanë vendi”, tha i akuzuari Jeton.
Sipas tij, në atë vend nuk ka varreza por është mal, në të cilën figurojnë dhe malet e tyre.
I akuzuari e pranoi se ka dhënë disa versione për rastin, por shtoi se ky që e dha sot është më i sakti.
“Po ndryshimi avokat është pasi që në zyrën e prokurorit gjatë intervistimit tem ku isha tu u marrë në pyetje nga prokurori dhe hetuesit mu m’u servu një letër përpara dhe më thanë që vjen nga, është urdhëresë e gjykatës nëse nuk e pranon veprën duhet me arrestu edhe gruan tane pasi që nuk i mjaftojshin që e arrestuan mesën 19 vjeçare, e arrestuan kunatën, e arrestuan vëllaun krejtësisht të pafajshëm. Dojshin me arrestu edhe gruan time dhe kisha frikë për fëmijë pasi ishin të ri, fëmija e vëllaut vetë dhe m’u dashtë me marrë një vepër që nuk e kam bo”, tha i akuzuari Jeton.
Kryetarja e trupit gjykues, Medie Bytyqi tha se gjatë ekzaminimit psikiatrik, nuk është evidentuar ndonjë problem psikiatrik tek tani i akuzuari.
Në fund, i akuzuari Jeton iu shprehu ngushëllime familjes së Bedri Rexhepit dhe tha se dëshiron të mbrohet në heshtje.
Në anën tjetër, i akuzuari Nexhat tha se nuk e di pse e kanë arrestu dhe se po akuzohet për vrasjen e një personi që nuk e ka njohur kurrë.
“Më kanë arrestu, s’di as me kallëzu detaje pse më kanë arrestu, po më akuzojnë për vrasjen e tani të nderit Bedri Rexhepi, që më vjen keq që s’është në mesin tonë, që kurrë në jetë nuk e kam njoftë as nuk e kam ditë kush është, as çka o a ku ekziston. Kurrë në jetë, me bindje të plotë. Betohem në krytë e tre fëmijëve të mi, asnjë mos e gjetsha në shtëpi, sot më ardhtë lajmi krejt të vdekur nëse veç dikush mundet me thanë Nexhati e njeh, apo e ka njoftë apo ka pi kafe, apo ka folë në telefon çkado qoftë”, tha ai.
I akuzuari thotë se “më mirë do të ishte më më pas mbytë” sesa ta arrestonin bashkë me grua për dikë që as që e ka njohur.
Vëllain e tij, ai thotë se e arrestuan ditën e parë të Ramazanit, kur familja e priste t’ua dërgonte bukën.
“Kur u arrestu Jetoni, s’më kujtohet data 15-16 s’jam i siugrt, u kanë dita e parë e Ramazanit.. u ardhë çika e Jetonit më ka vetë axhi a mundesh me thirrë babin s’po lajmërohet babi, s’na ka pru as bukë, ka pas me pru bukën të shpia. E kam marrë e kam thirrë në telefon s’mu ka lajmëru, thash axh po shkoj po blej bukë se nuk po lajmërohet”, tha ai.
I akuzuari Nexhat tha se Policia e thirri dhe i treguan se ia kanë arrestuar vëllain, por që nuk ia treguan arsyen vetëm se i thanë që mund të marrin avokat.
“Të nesërmen apo masnesërmen e kam marrë avokatin, më ka tregu, ka thanë që i ka humb një shok Jetonit. Unë jam kanë tu punu, kom vazhdu punën si çdohere, dul nëpër media, u bo bajagai e madhe kjo punë, qekaq”, tha ai, duke shtuar se vëllai i kishte thënë në vizitë se nuk di asgjë se ku gjendet tani i ndjeri dhe se s’ka të bëjë me rastin
Kur e kishte thirr hoxha i Drenasit, Mulla Osmani, të cilin e kishte angazhuar dikush i familjes Rexhepi, ai thotë se ishte shprehur i gatshëm t’iu ndihmojë, por që nuk ka lidhje me këtë rast.
“Jam taku me Mulla Osmanin, Ismetin edhe po më duket me vëllain e tani të ndjerit. Kemi bisedu, thash po më vjen keq, nuk i kam njoftë as këta të familjes Rexhepi, tha po çka të di e të muj kam me kontribu, unë lidhje me këtë punë nuk kam. Ju betohem thash në kry të fëmijëve që s’kam lidhje, nëse veç vërtetohet që unë po di diçka e s’po du me tregu ua kom një gjak borxh. S’kam ditë unë, as sot nuk e di të vërtetën”, tha ai.
I pyetur lidhur me një skicë që i akuzuari Jeton e kishte vizatuar se ku e ka varrosur viktimën, i akuzuari Nexhat deklaroi se atë e kishte bërë Jetoni. Tha se kishte lutur vëllain të tregonte nëse e di të vërtetën.
“Unë jam kanë atëherë në Gjilan, më kanë marrë më kanë çu në Prishtinë në Prokurori ku jam taku me Jetonin, dhe një ditë përpara ish kanë Jetoni në vendin e ngjarjes. Thash Jeton nëse e din ku është për rize të Zotit po ta qes kallëzo ku është e çka ka në këtë punë, se m’u ka lodhë shpirti m’u ka lodhë, grunë në burg, vetë në burg, fëmija më kanë mbete rrugëve…Atëherë s’më kujtohet mirë a prokurori a një hetues, a muni tha me bo një skice, jo unë thash s’muj boj se s’di sen. Na kanë pru një letër me një laps edhe po thotë Jetoni po, e ka bo një vizatim s’e kam kuptu mirë po më kallëzoi përafërsisht, boll u mundojsha me mendu po s’e di vendin saktë ku është”, tha ai.
I akuzuari Nexhat u pyet edhe lidhur me komunikimet që kishte të nesërmen e rastit me të akuzuarin Jeton në vendin ku dyshohej se ishte varrosur tani i ndjeri, e që Prokuroria po i përgjonte.
“S’mujtëm me shku me kerr deri ku ishin kanë policia e prokurori, zbritëm në këmbë kemi ecë, Jetoni ish kanë brenda në xhip edhe mu ma ngjitën një mbrojtës pancir, thash unë nuk kam nevojë për këta, si kam borxh kurrkujt, e kom hjek. Jemi ulë në xhip, thash Jeton përgjues e kemi e di unë po nuk është problem tu kisha lut gjeje, tha po jam i interesum me gjet po po më hup pak”, tha ai.
I njëjti theksoi se kanë vazhduar poshtë e lart malit duke kërkuar, e që ishte sjellë pak keq me vëllain, për çka e kishte thirr prokurori, duke i thënë “ti na i qite met edhe neve, jo atij”. Tha se prokurori i kishte kërkuar ta bindte Jetonin ta gjente atë vend, duke i thënë se më pas do lirohej bashkë me gruan.
Gjykatësja Bytyqi e pyeti ta sqarojë një bisedë e cila ishte bërë herë me zë të ulët e herë me të lartë, duke i thënë se përse udhëzimet ia dha Jetonit me zë të ulët, kurse lutjen për ta gjetur vendin ku ishte varrosur Rexhepi, ia bënte me zë të lartë.
Ajo ia lexoi edhe këtë pjesë, duke i thënë: Jetoni me një zë shumë të ulët të drejtohet “a është lart”, ju i përgjigjeni “s’di vllau u jem gjeje” amani të koftë”. Prapë, Jetoni të drejtohet me zë të ulët “a është lart”, ju i përgjigjeni me një ton shumë të ulët “jo bre qaty”.
“S’më kujtohet jo, s’më kujtohet, s’di”, shprehet i akuzuari Nexhat.
Kurse, anëtari i trupit gjykues Gent Beka, ia lexoi një pjesë të transkriptës së përgjimit: “Jetoni më zë shumë të ulët ka thënë perdja, ndërsa ju jeni përgjigjur me zë shumë të vogël “në të djathtë” dhe pastaj keni vazhdu më zë të ngritur “këqyr loçka jem”.
“Në prokurori tha perdja është më poshtë, kurse trupi më lartë më mirë e din prokurori”, u shpreh i akuzuari.
Po ashtu, i akuzuari Nexhat tha se vëllain Jetonin shkoi ta merrte pasi ai ia kërkoi një gjë të tillë përmes telefonit, duke i thënë se ishte në këmbë. Tha se me sa kur arriti, mendon se ishte duke biseduar me dikë në telefon.
Prokurori Armend Hamiti e pyeti të akuzuarn Nexhat se nëse po shprehet që ka qenë gjithmonë i interesuar të zbardhë të vërtetën, pse asnjëherë der tani nuk e ka përmendur se ka shkuar ta marrë vëllain e tij, Jetonin.
I akuzuari fillimisht tha se e ka deklaruar këtë gjë në Prokurori, por pastaj u shpreh se askush nuk e ka pyetur.
Ai po ashtu u pyet se përse i kanë penguar përgjimet nëse kanë qenë për të zbardhur të vërtetën.
“Nuk më kanë pengu përgjimet, unë iu kam lutë, i kam thanë mos e merr në qafë dikon”, u shpreh i akuzuari.
Po ashtu, i akuzuari Nexhat u pyet edhe se për çfarë arsye Jetoni në deklaratën e tij e cila përputhet në provat materiale të Prokurorisë, e përmend edhe atë se e kanë dërguar kufomën edhe e kanë varrosur.
“Nuk e di unë kush çka fol, unë po foli për veti unë s’kam të bëj kurgjo, edhe sot kam qejf me ditë të vërtetën, besomni, besomni se nuk e di, se unë s’kam lidhje as s’kam pas. Sot që tri vjet mbahem në burg padrejtësisht”, tha ai.
Seanca pritet të vazhdojë edhe në sesionin e pasdites.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Jeton dhe Nexhat Vllasaliu ngarkohen me veprën penale “Vrasje e rëndë”, nga neni 173, paragrafi 1.6 dhe 1.4 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Në aktakuzë thuhet se prej periudhës 9 janar 2021 deri më 8 prill 2021, të pandehurit Vllasaliu në bashkëkryerjeje pas marrëveshjes paraprake, kishin filluar planifikimin për të privuar nga jeta të dëmtuarin Bedri Rexhepi, me qëllim të fitimit të dobisë pasurore.
Të njëjtit, po ashtu ngarkohen me veprën penale “Dëmtim i varreve apo kufomave”, nga neni 413, paragrafi 2 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi