
Detaje nga ngjarja e rëndë në Shkodër, si nisi konflikti mes Kolë Manajt dhe të dashurës?
Pas ngjarjes së ndodhur dje në Shkodër, ku Kolë Manaj plagosi rëndë të dashurën e tij dhe më pas me të njëjtën armë vrau veten, policia ka marrë në pyetje familjarët dhe të afërmit e tyre.
Sipas deklarimeve, burime nga policia pohojnë se shkak i ngjarjes dyshohet të ketë qenë kërkesa e 44-vjeçares për të ndërprerë marrëdhënien në çift. Të njëjtat burime sqaruan se Anila Ndoka, (mbiemrin Prendushi e kishte nga martesa e mëparshme) kishte shfaqur shqetësim tek të njohurit e saj se 34-vjeçari nuk punonte. Sipas deklarimeve, çifti që prej afro 5 vitesh ishin në bashkëjetesë, kishin nisur konfliktet në dy javët e fundit.
34-vjeçari i dërgonte dhe mesazhe që do të vriste veten nëse Anila do ta linte, SMS të cilat sipas të njëjtave burime janë gjetur në celularët e tyre.
Anila Ndoka vijon të qëndrojë në Spitalin e Traumës në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi u qëllua me një plumb pistolete në kokë.