![Incidente gjatë zgjedhjeve në disa komuna – sulme ndaj zyrtarëve, cenim i fshehtësisë së votimit dhe arrestime](/uploads/zeri.info/images/2025/February/10/auto_91739180839.jpg)
Incidente gjatë zgjedhjeve në disa komuna – sulme ndaj zyrtarëve, cenim i fshehtësisë së votimit dhe arrestime
Gjatë ditës së zgjedhjeve në Kosovë janë raportuar disa incidente, të cilat kanë çuar në arrestime nga ana e Policisë së Kosovës.
Incidentet kanë ndodhur në disa komuna të vendit dhe përfshijnë sulme ndaj personave zyrtarë, cenim të fshehtësisë së votimit dhe nxitje të urrejtjes.
Në Podujevë, një person është arrestuar pasi ka sulmuar fizikisht një zyrtar policor gjatë procesit të votimit. I dyshuari nuk kishte respektuar urdhrat e policisë dhe për këtë arsye është ndaluar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Në Prishtinë, dy persona janë arrestuar për vendosjen e disa pamfleteve të lidhura me zgjedhjet, të cilat nxisnin urrejtje dhe mosdurim. Pas ndalimit, ata janë dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Në Fushë-Kosovë është ndaluar një person i dyshuar për cenimin e së drejtës për të kandiduar. Pas intervistimit, ai është liruar dhe do të përballet me procedurë të rregullt.
Dy raste të cenimit të fshehtësisë së votimit janë raportuar në Gjilan dhe Vushtrri, ku dy persona janë arrestuar për këtë vepër. Njëri prej tyre është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa tjetri është dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit.
Një tjetër rast i sulmit ndaj një personi zyrtar është raportuar në Gjilan, ku një qytetar ka tentuar të hyjë në një qendër votimi pas orarit të mbylljes dhe ka refuzuar urdhrat e policisë. Pas tentativës për të sulmuar një zyrtar policor, ai është ndaluar dhe pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt.
Policia e Kosovës ka bërë thirrje për respektim të rregullave zgjedhore dhe ka theksuar rëndësinë e një procesi të qetë dhe të ligjshëm për të garantuar një mjedis demokratik gjatë zgjedhjeve.