Zgjedhjet parlamentare, në Prokurorinë e Mitrovicës lajmërohen dy raste lidhur me procesin e votimit
Foto: Laura Hasani

Zgjedhjet parlamentare, në Prokurorinë e Mitrovicës lajmërohen dy raste lidhur me procesin e votimit

Kronika February 10, 2025 - 10:28

Gjatë ditës së djeshme, kur u mbajtën zgjedhjet parlamentare, në Prokurorinë Themelore në Mitrovicë janë lajmëruar dy raste.

Në shkollën “Musa Hoti” në Frashër të Mitrovicës është raportuar se një qytetar dje pas orës 15:00, gjatë votimit ka nënshkruar gabimisht te një person tjetër në fletëvotim.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin menaxheri i kësaj qendre votimi, Niman Rushiti.

“Një person ka nënshkruar gabimisht te një person tjetër. Kemi biseduar edhe me prokurorin”, ka thënë ai.

Lidhur me këtë rast prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Njazi Rexha, ka thënë se ky rast është konstatuar se është një gabim dhe është rregulluar me komision.

“Ky rast është konstatuar si gabim, është rregulluar me komision”, ka thënë Rexha.

Ndërsa, në shkollën “Fazli Grajçevci” në Shipol të Mitrovicës një person dyshohet se ka poseduar fletushka të fotokopjuara dhe të zbrazëta, e i cili ka udhëzuar qytetarët se si të votojnë.

Rexha ka thënë se ky rast është nën hetime.

“Rasti është nën hetime”, ka thënë shkurtimisht ai.