Tetë të ndaluar për veprat penale kundër të drejtave të votimit
Prokuroria e Shtetit ka njoftuar se gjatë ditës së sotme ka ndaluar gjithsej 8 persona për veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Sipas njoftimit të Prokurorisë, të dyshuarit janë ndaluar për veprat penale “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, “Sulm ndaj personit zyrtar”, si dhe “Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar”, shkruan Zeri.info.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë, pa ndërhyrje:
Prishtinë, 9 shkurt 2025 - Siç Ju kemi informuar edhe më parë për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, që u mbajtën sot në vendin tonë, Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës. Rreth 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial kanë punuar dhe ende janë duke punuar me qëllim të mbarëvajtjes së procesit zgjedhor.
Gjatë ditës së sotme Prokurori i Shtetit ka pranuar disa informata dhe pas verifikimit të tyre deri në mbyllje të procesit të votimit, janë hapur katër raste, kundër tetë personave, kurse informatat tjera janë duke u trajtuar.
Prej tyre:
· Prokuroria Themelore në Mitrovicë pas informatave të pranuara nga qytetarët, ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Në rastin e parë ka ndaluar katër persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: “Cenimi i përcaktimit të lirë të votuesve”, nga neni 210 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
· Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka iniciuar dy raste të ndryshme që ndërlidhen me veprat penale kundër të drejtave të votimit.
Në rastin e parë ka ndaluar një person, për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti me veprimet e tij ka kryer veprën penale: “Sulm ndaj personit zyrtar”, nga neni 402 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Ndërkaq, në rastin e dytë ka ndaluar dy persona, për shkak të dyshimit të bazuar se të njëjtit me veprimet e tyre kanë kryer veprën penale: “Parandalimi i ushtrimit të së drejtës për të votuar”, nga neni 209 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Prokurorët e shtetit do të vazhdojnë të kujdestarojnë edhe gjatë numërimit të votave në vendvotime deri në dërgimin e tyre në qendrat komunale.
Me këtë rast Prokurori i Shtetit falënderon qytetarët e Republikës së Kosovës, mediat dhe shoqërinë civile për bashkëpunimin e treguar me Prokurorin e Shtetit me qëllim parandalimin dhe ndjekjen e suksesshme të veprave penale lidhur me këto zgjedhje. /Zëri