Lëndohet një 20-vjeçar nga një shpërthim në shtëpinë e tij në Gjakovë, dyshohet për mjete të pashpërthyera
Foto: Zëri / Ilustrim

Lëndohet një 20-vjeçar nga një shpërthim në shtëpinë e tij në Gjakovë, dyshohet për mjete të pashpërthyera

Kronika February 06, 2025 - 12:23

Një 20-vjeçar nga Gjakova ka pësuar lëndime të rënda për shkak të shpërthimit të një mjeti shpërthyes.

Rasti ka ndodhur rreth orës 01:20 pas mesnate. Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Elezaj ka bërë të ditur se shpërthimi ka ndodhur në shtëpinë e viktimës.

“Sot, rreth orës 01:20, një mashkull rreth 20 vjeç është dërguar për trajtim mjekësor si pasojë e lëndimeve të rënda të shkaktuara nga një mjet shpërthyes. Menjëherë në vendngjarje kanë dalë të gjitha njësitë relevante policore, dhe sipas hetimeve fillestare, dyshohet se viktima, aksidentalisht ka shkaktuar shpërthimin e mjetit në shtëpinë e tij, në fshatin Dobrigje-Gjakovë”, ka thënë Elezaj.

Ai ka shtuar se për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, në konsultim me të cilin është iniciuar rast “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm.”

Ndërkaq drejtori i policisë në Gjakovë, Lumni Graishta tha se ende nuk kanë arritur të ekzaminojnë vendin e ngjarjes për shkak të dyshimit që mund të ketë mjete tjera shpërthyese.

“Nuk kemi arritur ende me ekzaminu vendin e ngjarjes për shkak të dyshimit që mund të ketë mjete tjera të pashpërthyera. Për momentin EOD janë duke kontrolluar zonën”, ka thënë Graishta.