Mospërshtatja e shpejtësisë është shkak i vetaksidentit në Pejë, ku humbi jetën shoferi
Një person ka humbur jetën si pasojë e një vetaksidenti në fshatin Qungur të Pejës.
Rasti ka ndodhur të dielën, rreth orës 18:35. Policia përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se deri tek vetaksidenti ka ardhur si pasojë e mospërshtatjes së shpejtësisë me kushtet e rrugës.
“Ju informojmë se më datë 2 shkurt 2025, rreth orës 18:35, Policia është informuar për një aksident trafiku, i cili ka ndodhur në fshatin Qungur-Pejë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet kompetente të Njësitit Rajonal të Komunikacionit Rrugor (NJRKRR). Deri te ky aksident dyshohet se ka ardhur derisa automjeti ishte duke qarkulluar në rrugën Pejë-Trestenik, me të arritur në fshatin Qungur-Pejë, duke mos iu përshtatur shpejtësisë dhe kushteve të rrugës i njëjti humb kontrollin dhe më pas devijon majtas dhe godet shtyllën e betonit”, thuhet në njoftim.
Policia thekson se si pasojë e këtij aksidenti vozitësi kishte vdekur në vendin e ngjarjes dhe këtë e ka konstatuar ekipi mjekësor.
“Me urdhër të prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë i viktimës dërgohet në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë për obduksion, ndërsa rasti vazhdon të hetohet nga hetuesit e aksidenteve NJRKRR-DRP Pejë”, thuhet në njoftim. /Zëri