Sulmoi me thikë klientin në Gjakovë, Prokuroria kërkon paraburgim për të pandehurin
Foto: Zëri / Ilustrim

Sulmoi me thikë klientin në Gjakovë, Prokuroria kërkon paraburgim për të pandehurin

Kronika February 02, 2025 - 12:48

Prokuroria Themelore në Gjakovë, Departamenti për Krime të Rënda, ka njoftuar se ndaj të pandehurit me inicialet E.Th., ka marrë Aktvendim për fillimin e hetimeve si dhe ka paraqitur, kërkesë në Gjykatën Themelore në Gjakovë, për caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh.

Sipas kërkesës së Prokurorisë, ndër të tjera ceket se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri me inicialet E.Th., me datë 01.02.2025 rreth orës 10:25 në Gjakovë Rr.“Yll Morina”, saktësisht në lokalin “E…”, me dashje ka tentuar të privoj nga jeta të dëmtuarin A.J.

Në ditën kritike i pandehuri në cilësi të pronarit të lokalit derisa ka qenë duke shërbyer klientët, pas një mosmarrëveshje me të dëmtuarin, në atë moment në fjalosje e sipër, i pandehuri me mjetë të mprehtë – thikë e sulmon të dëmtuarin duke e goditur disa herë në pjesët vitale të trupit kryesisht rreth stomakut, ku si pasojë e lëndimeve të pësuara nga goditjet me thikë, i dëmtuari menjëherë dërgohet në emergjencën e Spitalit Rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, dhe më pas për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore, dërgohet në QKUK për trajtim mjekësor.

“Këto veprime formojnë dyshimin e bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Vrasja në tentative” nga neni 172 lidhur me nenin 28 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Policia e Kosovës njoftoi se rasti ndodhi të shtunën rreth orës 10:00.

“Rr. Yll Morina, Gjakovë 01.02.2025-10:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte therur me thikë viktimën mashkull kosovar. Viktima është dërguar në QKUK për tretman mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, njoftoi policia.