Policia sekuestron 700 pako me cigare, dyshohet se u kontrabanduan nga Serbia
Policia e Kosovës dhe Dogana ka bërë të ditur se në magjistralen Kamenicë – Gjilan të mërkurën ka ndaluar një veturë dhe gjatë kontrollit në të janë gjetur 700 pako me cigare me banderola të Serbisë.
Sipas njoftimit të Policisë, veturën me targa serbe po e drejtonte një shtetas i Serbisë, raporton Zeri.info.
“Policia e Kosovës, gjegjësisht njësitet e Task-Forcës Lindje (Doganën e Kosovës dhe Policia e Kosovës), në zbatimit të masave për parandalimin dhe luftimin e kontrabandës, kanë intensifikuar kontrollet taktike dhe operacionale në terren në brezin kufitar RKS-SRB. Më datë 29.01.2025 njësitet e lartcekura pas pranimit të informatave dhe dyshimeve për kontrabandë të mallrave nga Serbia përmes rrugëve ilegale jashtë pikave kufitare të rregullta, në magjistralen Kamenicë-Gjilan kanë ndaluar një automjet për kontrollim. Pas ndalimit të automjetit të dyshuar me targa serbe, të cilin po e drejtonte i dyshuari mashkull serb, gjatë kontrollit janë gjetur mallrat/cigare (700 pako) me banderola të Serbisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.