Plagosen dy persona, sekuestrohen tri armë në Prizren

Plagosen dy persona, sekuestrohen tri armë në Prizren

Kronika January 29, 2025 - 13:18

Sot pas mesnate disa persona janë takuar në një pikë të karburanteve në Prizren, ku pas disa mosmarrëveshjeve kanë filluar të fjalosen, ndërsa janë përdorur edhe armët.

Policia ka bërë të ditur se dy persona janë plagosur dhe të njëjtët kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit të Prizrenit, transmeton Zeri.info.

“Më datën 29.01.2025, rreth orës 02:00, në rrugën ‘Transiti i ri’ në Prizren disa persona të dyshuar janë takuar në parkingun e një pike shitje të derivateve. Të dyshuarit menjëherë pas takimit kanë filluar të fjalosen dhe së paku një person ka shkrepur armën e zjarrit në drejtim të dyshuarve të tjerë. Pas shkrepjes së armës persona të përfshirë janë larguar nga vendi i ngjarjes e dy nga ata kanë kërkuar ndihmën e mjekut në Emergjencën e Spitalit Rajonale të Prizrenit”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia ka kryer kontrolle në disa vende ku ka sekuestruar edhe armë.

“Me kohë janë njoftuar Sektori i Hetimeve të stacionit dhe hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve, të cilët kanë dalë në vendngjarje dhe kanë mbledhur provat dhe dëshmitë. Dy nga të dyshuarit gjenden në trajtim mjekësor, gjendja e tyre sipas mjekut kujdestar është jashtë rrezikut për jete, kurse të dyshuarit tjerë janë në kërkim”.

“Policia gjatë natës ka bërë identifikimin e personave të përfshirë në rast, janë kryer kontrolle në disa vende, tre armë zjarri - pistoleta dhe dy automjete janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren është duke e hetuar rastin, në konsultim me prokurorin kujdestar rasti është cilësuar si ‘Vrasje në tentativë’ dhe ‘Mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim i paautorizuar i armës’”, njoftoi Policia. /Zëri

Image

Image