Me duar e këmbë të lidhura, të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt para gjyqit – krejt çka ndodhi në seancën fillestare
Sot (e hënë) është mbajtur seanca fillestare për të akuzuarit në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt. Me duar e këmbë të lidhura e nën masa të rrepta sigurie, të akuzuarit, Naim Murseli, Granit Plava, Kushtrim Kokalla dhe Tom Dedaj, dolën sot para Gjykatës.
Krahas numrit të shtuar të forcave policore në ambientet e jashtme të Gjykatës Themelore në Prishtinë, një numër i madh i tyre ishte prezent edhe brenda sallës ku do të mbahej seanca fillestare ndaj katër të akuzuarve.
Të akuzuarve në këtë seancë fillestare do t’u lexohej aktakuza, si dhe ata do të jepnin deklaratat e tyre, por që pas konfirmimit të të dhënave, avokati i Kushtrim Kokallës krijoi një situatë tensionuese duke mos iu bindur trupit gjykues, gjë për të cilën edhe mori gjobë prej 500 eurove.
Madje, Ndrec Dodaj, avokati i Kushtrim Kokallës, si dhe avokati Agron Kuçi i të akuzuarit Tom Dodaj, deklaruan se s’kishin pranuar s’ishin pajisur me të gjitha shkresat e lëndës, dhe se nuk kishin si t’i shpjegonin klientëve çështjen e provave.
Për këtë arsye, prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq e shtyu seancën për datë 31 janar në orën 11:00, pasi siç tha ajo “nuk ka kushte për mbajtjen e kësaj seance”.
Javën e kaluar, më 15 janar, përmes një konference për media, Prokuroria njoftoi opinionin publik se kishte ngritur aktakuzë për Naim Murselin, Kushtrim Kokallën, Granit Plavën dhe Tomë Dodajn lidhur me rastin e vrasjes së Liridona Ademajt më 29 nëntor të vitit 2023.
Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq atë ditë kishte përmendur si një nga motivet për këtë vrasje marrëdhëniet jo të mira në çift mes Liridonës dhe ish-bashkëshortit të saj, Naim Murselit, gjatë kohës që jetonin në Suedi, që tha se kanë shkuar deri te problemet pasurore.
Në anën tjetër, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi tha se presin nga Gjykata dënim kapital ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor të vitit 2023, në hyrje të fshatit Bërrnicë të Prishtinës, teksa po kthehej në shtëpinë e saj me bashkëshortin dhe dy fëmijët.
Çfarë thotë dosja e Prokurorisë? Plani i Naim Murselit për vrasjen e Liridonës, inskenimi i grabitjes e marrëveshja për ta paguar 30 mijë euro dorasin
Sipas aktakuzës të plotë të publikuar nga Betimi për Drejtësi, për shkak të raporteve të çrregulluara familjare dhe martesore, gjatë të cilave kanë lindur mllefi dhe dëshira për hakmarrje tek i pandehuri i parë Naim Murseli, ky i fundit ka bërë planin ta largojë tani të ndjerën Liridona nga jeta e tij.
Në aktakuzë thuhet se pas datës 25 qershor 2022, kur është paguar polica e sigurimit jetësor në emër të Liridona Ademajt me kompaninë Folksam, në shumën prej 3.000.000 kruna suedeze, me qëllim që pas vrasjes të ketë edhe dobi financiare, Naimi të pandehurit të tretë (Kushtrim Kokalla), ia ka shpalosur planin e likuidimit të bashkëshortes së tij dhe nga ai ka kërkuar të gjejë mundësi për vrasjen e saj.
Aktakuza thotë se fillimisht, Kokalla ka refuzuar e më pas ka gjetur të pandehurin e dytë, Granit Plava, me të cilin e ka njoftuar Naim Murselin dhe që të tre janë dakorduar që Graniti të kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’ia paguajë kompensimin në shumën prej 30 mijë euro.
Ndërsa, Naimi më 29 nëntor 2023, thuhet se ka siguruar armën e zjarrit dhe 20 fishekë, të cilat i ka blerë rreth orës 14:00 po të njëjtën ditë nga i pandehuri i katërt Tomë Dodaj në shumën prej 280 euro, e të cilën armë ia ka dhënë të pandehurit të dytë- Granit Plavës.
Granit Plava, thuhet se armën në fjalë e ka përdorur për vrasjen e tani të ndjerës Liridona. Vrasje kjo e kryer në të njëjtën ditë në orët e mbrëmjes, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në ora 20:18 në vendin për të cilin është dakorduar me Naimin, duke e inskenuar që të duket si grabitje, ndërsa Naimi në mënyrë dinake me dorën e tij të djathtë ka mbajtur Liridonën në krahun e dorës së saj të majtë, me qëllim që ajo mos t’i shmanget plumbit, për çka Naimi me fëmijët ka dalë nga vetura dhe është larguar nga vendi i ngjarjes.
Me këtë, Naim Murseli akuzohet se në bashkëkryerje me të akuzuarit Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla, ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1., pika 1.3 dhe 1.4 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal.
I maskuar e me pistoletë, Ganit Plava qëlloi me një plumb në kokë Lirdonën
Sipas aktakuzës, më 29 nëntor 2023, në intervalin kohor prej orës 20:11 deri në 20:18 në fshatin Bërnicë në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, i pandehuri i parë Naim Murseli me veturë në të cilën ka qenë tani e ndjera Liridona dhe fëmijët e tyre të moshës 4 dhe 6 vjeç, pas marrëveshjes paraprake, i ka dhënë shenjë me drita të veturës të pandehurit Plava, për çka ai befas ka dalë përpara veturës me maskë në kokë dhe pistoletë në duar, derisa i pandehuri Murseli, ka ndaluar dhe ka fikur motorin e veturës dhe me dorën e tij e ka mbajtur Liridonën për krahun e dorës së saj të majtë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, i pandehuri Granit Plava për kompensim në shumën prej 30 mijë euro, nga afërsia e drejtpërdrejtë përmes dritares gjysmë të hapur nga ana e pasagjerit, ka shtënë një fishek nga pistoleta në drejtim të Liridonës dhe e qëllon në kokë, në pjesën prapa veshit të djathtë, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, ku për pasojë ndërroi jetë në vendin e ngjarjes. Vdekja e saj, sipas raportit të autopsisë erdhi si rezultat i gjakderdhjes së brendshme dhe të jashtme, shkruan reporteri.
Me këtë, Granit Plava akuzohet se në bashkëkryerje me Naim Murselin dhe Kushtrim Kokallën ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.6 lidhur me nenin 31 dhe 34 të Kodit Penal.
Në pikën e tretë të aktakuzës, Granit Plava ngarkohet se nga 29 nëntori 2023 rreth orës 14:00 deri më 1 dhjetor 2023 rreth orës 16:15, ku është kryer bastisja në shtëpinë e tij në Cërmjan, Komuna e Gjakovës, ku është gjetur arma, pa autorizim dhe në kundërshtim me Ligjin për armë, ka poseduar pistoletën së bashku me 19 fishekë, me të cilën ka kryer veprën, e të cilën armë Naimi e ka blerë më 29 nëntor 2023 rreth orës 14:00 nga i pandehuri i katërt Tomë Dodaj në shumën prej 280 euro.
Me këtë, Plava akuzohet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366, par.1 të Kodit Penal.
Kushtrim Kokalla njoftoi Granit Plavën me Naim Murselin dhe u dakorduan që Graniti ta kryejë vrasjen për 30 mijë euro
Në aktakuzë thuhet se pasi që i pandehuri i parë Naim Murseli ka kërkuar nga Kushtrim Kokalla që të gjejë mundësi për vrasjen e bashkëshortes së tij- Liridona Ademajt dhe i njëjti ka refuzuar, Kushtrimi ka gjetur të pandehurin e dytë Granit Palava me të cilin e ka njoftuar Naimin dhe të tretë janë dakorduar që Graniti ta kryejë vrasjen me marrëveshje që Naimi t’i paguajë kompensim shumën prej 30 mijë euro.
Sipas aktakuzës, Naimi më 29 nëntor 2023 ka siguruar armën dhe 20 fishekë të cilat i ka blerë të njëjtën ditë rreth orës 14:00 nga Tomë Dodaj për 280 euro, ia ka dhënë Plavës i cili armën e përmendur e ka përdorur për vrasjen e tani të ndjerës Liridona.
Me këtë, Kushtrim Kokalla akuzohet se në bashkëkryerje me Naim Murselin dhe Granit Plavën ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173, par.1, pika 1.13 lidhur me nenet 31 dhe 34 të Kodit Penal.
Kokalla s’e lajmëroi vrasjen, edhe pse Naimi e kishte pranuar në dhomën e hotelit
Kokalla po ashtu akuzohet se edhe pse menjëherë pas kryerjes së vrasjes së tani të ndjerës Liridona ka pasur njohuri që veprën penale e kanë kryer i pandehuri Naim Murseli (i cili këtë e ka pranuar derisa kanë qenë në dhomën e hotelit të njëjtën natë pas vrasjes së kryer) dhe i pandehuri i dytë Granit Plava, i pandehuri Kokalla nuk i ka lajmëruar kryerësit e as veprën penale vrasje për planifikimin e kryerjes së të cilës ka marrë pjesë në mënyrë aktive së bashku me Murselin e Plavën, e të cilin rast organet kompetente fillimisht e kanë hetuar si grabitje deri dy ditë më vonë kur është arrestuar (më 1 dhjetor 2023).
Me këtë, Kushtrim Kokalla akuzohet se ka kryer veprën penale “Moslajmërimi i veprave penale apo kryerësve të tyre” nga neni 378, par.1, pika 1.1 lidhur me nenin 34 të Kodit Penal.
Tomë Dodaj ia shiti armën Murselit e Plavës për 280 euro
Aktakuza e Prokurorisë ngarkon Tom Dodajn se më 29 nëntor 2023, rreth orës 14:00, në vendin e tij të punës në Novosellë të Epërme- Komuna e Gjakovës, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, e në kundërshtim me Ligjin në fuqi për armë dhe materiale plasëse, ia ka shitur një armë zjarri- pistoletë të akuzuarve Murseli dhe Plava në shumën prej 280 euro, e cila është përdorur në kryerjen e vrasjes së tani të ndjerës Liridona, vrasje e kryer në të njëjtën ditë në intervalin kohor mes orës 20:11 dhe 20:18 në Bërnicë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, Komuna e Prishtinës.
Me këtë, Dodaj akuzohet se ka kryer veprën penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse nga neni 364, par.1 të Kodit Penal.