Kapet në Kolumbi tropojani i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u

Kapet në Kolumbi tropojani i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u

Kronika January 27, 2025 - 13:50

Një 33-vjeçar shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK-u është arrestuar nga policia kolumbiane në qytetin e Kartagjenës.

Almir Gjidiaj, 33 vjeç, i lindur në Tropojë, akuzohet nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar si pjesëtar i një organizate kriminale të përfshirë në trafikimin e armëve.

Sipas hetimeve, 33-vjeçari kishte një rol kyç në drejtimin e logjistikës dhe transportit për shitjen e armëve të zjarrit me rreze të mesme dhe të gjatë në tregun e zi.

Kapja e tij u bë e mundur përmes shkëmbimit të informacionit mes INTERPOL Tiranës dhe autoriteteve kolumbiane.

Aktualisht, po zhvillohen procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me akuzat e ngritura nga SPAK-u.

“Në vijim të bashkëpunimit me homologët, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e shkëmbyera mes strukturave të Policisë së Shtetit dhe atyre të Kolumbisë, nëpërmjet Interpol Tiranës, në kuadër të operacionit policor “Kartagjena”, është lokalizuar, kapur dhe ndaluar në qytetin e Kartagjenës, nga Policia kolumbiane, shtetasi A. Gj., 33 vjeç, lindur në Tropojë”, thuhet mes të tjerash në njoftimin e Policisë.