“I hynë në veturë dhe e goditën me thikë disa herë”, kërkohet paraburgim për personat që tentuan ta vrisnin 23-vjeçarin në Ferizaj
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore e Ferizajt caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit N.D. dhe E.P. për veprën penale “Vrasja në tentativë”.
Sipas Prokurorisë, kjo kërkesë është bërë pas dyshimit të bazuar për ngjarjen e ndodhur më 25 janar 2025.
“Prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit për të dyshuarit N.D. dhe E.P. për shkak të dyshimit të veprës penale ‘Vrasja në tentativë’ sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës,” ka theksuar Prokuroria Themelore e Ferizajt.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 17:05 në rrugën “Dëshmorët e Kombit” në Ferizaj, pas një mosmarrëveshje në komunikacion, ku të dyshuarit kanë hyrë në automjetin e të dëmtuarit L.Q. dhe e kanë sulmuar atë brenda veturës.
“Gjatë rrugës, të pandehurit e sulmojnë të dëmtuarin, dhe përleshja vazhdon jashtë veturës, ku i pandehuri N.D., nxjerr një thikë dhe e godet disa herë në pjesë abdominale, duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore,” thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Pas sulmit, të dyshuarit janë larguar nga vendi i ngjarjes, ndërsa i dëmtuari është dërguar për trajtim mjekësor.
“Fillimisht është dërguar në Emergjencën e Ferizajt, dhe më pas është transferuar në QKUK në Prishtinë, ku i është nënshtruar një operacion”, njofton Prokuroria.
Prokuroria ka theksuar se “të dyshuarit N.D. dhe E.P. që nga data 25 janar 2025 janë në masën e ndalimit 48-orësh për veprën penale ‘Vrasja në tentativë’”.
Hetimet po vazhdojnë dhe caktimi i masës së paraburgimit është në pritje të vendimit nga Gjykata Themelore në Ferizaj.