Dështon seanca fillestare ndaj Naim Murselit dhe të akuzuarve të tjerë në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt
Seanca fillestare për katër të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt është shtyrë për 31 janar, në orën 11:00, pasi ekipet mbrojtëse thanë se nuk kanë pranuar shkresat e lëndës dhe nuk ka kushte për mbajtjen e kësaj seance sot.
Gjykatësja i paralajmëroi avokatët që në këtë datë të re të jenë të përgatitur.
Në Gjykatën Themelore, avokati i të akuzuarit, Naim Murseli, tha se kjo seancë nuk mund të mbahet, pasi pretendoi se nuk ka pranuar aktakuzën, shkresat e tjera të lëndës dhe CD-të me prova për këtë rast.
Ai tha se nuk është në gjendje që ta këshillojë klientin e tij as si të deklarohet për akuzat e as nuk mund t’i kundërshtojë provat.
“Për mua nuk janë plotësuar kushtet që të mbahet kjo seancë”, tha ai.
Por, prokurorja e rastit tha se shkresat, CD-të dhe aktakuzat janë dorëzuar më 22 janar te njëri nga avokatët e të akuzuarve.
Avokatët e të akuzuarve Kushtrim Kokalla dhe Tom Dedaj, thanë po ashtu se s’kanë marrë shkresat, pasi nuk po iu bënë e-maili. Ata gjithashtu kërkuan shtyrjen e seancës.
Avokati i të akuzuarit, Kushtrim Kokalla, u dënua me 500 euro për prishje të rendit në seancës, mosbindje ndaj gjyqtares.
Në seancë të pranishëm ishin tre persona të akuzuar për këtë rast, duke përfshirë edhe bashkëshortin e Liridonës, Naim Murseli.
Fillimisht gjykatësja pyeti të akuzuarit për informacionet e përgjithshme, sikurse datëlindja e tyre, statusi martesor, niveli i arsimit, gjendja ekonomike e të ngjashme.
Para nisjes së seancës së sotme - që u shty nga gjykatësja e rastit - familja e Liridonës tha se beson në drejtësi dhe shpreson që gjykimi të jetë “efikas, profesional, pa gabime, pa vonesa dhe transparent”.
Më 15 janar të këtij viti, Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se kishte ngritur aktakuzë ndaj katër personave për vrasjen e 30-vjeçares Ademaj.
Liridona Ademaj u vra më 29 nëntor 2023, në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë.
Rasti fillimisht ishte raportuar si “grabitje me pasoja të vrasjes”, por dy ditë më vonë autoritetet kishte arrestuar dy persona. Në mesin e tyre ishte edhe bashkëshorti i Liridonës, Naim Murseli.
Të akuzuarit e tjerë janë Kushtrim Kokalla, Granit Plava dhe një person i katërt, emri i të cilit nuk është përmendur nga prokurorët kur ata njoftuan për ngritjen e aktakuzës.
Prokurorja e rastit, Javorka Përlinçeviq, gjatë konferencës më 15 janar, tha se gjatë kohës që çifti jetonte në Suedi – së bashku me dy fëmijët e tyre – ata kishin pasur “marrëdhënie të trazuara martesore”, si pasojë e të cilave erdhën edhe problemet pronësore.
"Arsyet e tjera që kishte Naimi për të planifikuar dhe kryer këtë vrasje mund t'i mësoni në gjykatë kur të fillojë seanca kryesore", tha Përlinçeviq, e cila tha se gjetja e motivit të vrasjes kishte bërë që procesi i ngritjes së aktakuzës të merrte më shumë kohë.
Prokurorja tha se deri te ky informacion erdhën në bashkëpunim me autoritetet suedeze, pasi nga to Prokuroria në Prishtinë kishin kërkuar të dhëna rreth jetës së çiftit dhe marrëdhënies së tyre martesore.
"Vetëm atëherë arritëm të krijojmë një pamje të plotë të jetës së tyre dhe të gjejmë motivin që e shtyu Naim Murselin të marrë vendimin për largimin e Liridonës, për të mos thënë likuidimin e saj, sepse mënyra e kryerjes së veprës tregon qartë një akt të tillë si likuidim", deklaroi Përlinçeviq.
Ndërkaq, kryeprokurori i Prokurorisë në Prishtinë, Zejnullah Gashi, tha se vrasja e kryer nga “anëtari i familjes” u krye në “mënyrë dinake”, prandaj shtoi se pret dënim kapital nga gjykata.
Sipas Prokurorisë, Naim Murseli kishte “planifikuar gjithçka”, ndërkaq Kokalla dhe Plava, sipas organit ndjekës ishin “ekzekutues të drejtpërdrejtë” të Liridonës. I akuzuari i katërt, sipas Prokurorisë është i përfshirë në mënyrë të tërthortë në këtë rast.
Murseli, Kokalla dhe Plava gjenden në paraburgim, ndërkaq personit të katërt i është ndërprerë kjo masë dhe po mbrohet në liri. Ai ishte arrestuar më 9 dhjetor nën dyshimin se ia kishte shitur armën dorasit.
Familja e Liridonës kishte kërkuar zhvarrosjen e trupit të saj, në mënyrë që ajo të varrosej vranë varrezave të prindërve të saj, ndërkaq aktivistët për të drejtat e grave kanë kërkuar që Liridona të mos identifikohej më me mbiemrin e bashkëshortit, por me atë të familjes së saj, Ademaj.
Zemërim të madh në publik kishte shkaktuar edhe fakti që burri i saj kishte qenë pjesë e ceremonisë së varrimit të Liridonës.
Që nga viti 2010 e deri më tani, në Kosovë janë vrarë afër 60 gra. Në të shumtën e rasteve, dorasit kanë qenë bashkëshortët.
Sipas organizatave që merren me të drejtat e grave, mesazhe “trimëruese” dorasëve është duke u dërguar sistemi i drejtësisë në Kosovë me, siç thuhet, “dënimet e lehta”. /Rel