Vrasja e Liridona Ademajt, deklarohet Naim Murseli
Foto: Laura Hasani

Vrasja e Liridona Ademajt, deklarohet Naim Murseli

Kronika January 27, 2025 - 11:24

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur gjykimi ndaj të akuzuarve për vrasjen e Liridona Ademajt në nëntor të vitit 2023.

Para turpit gjykues është deklaruar Naim Murseli, i cili akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij.

Ai është pyetur nga kryetarja e trupit gjykues, Fatime Dermaku, për statusin martesor.

Murseli u shpreh se është shtetas i Kosovës dhe Suedisë dhe se është i ve, pasi i është vrarë gruaja, raporton Zeri.info.

“Jam shtetas i Kosovës dhe Suedisë. Nuk jam i martuar, pasi e kam gruan të vrarë. Gjendja ekonomike e mesme”, tha Murseli,

Gjyqtarja tha që e kanë njoftuar ambasadën e Suedisë në lidhje me mbajtjen e seancës së sotme.

Ndryshe, para pak ditësh, kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, në një konferencë për media ka bërë të ditur se kanë përfunduar hetimet dhe kanë ngritur aktakuzë për të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt.

Në aktakuzën e Prokurorisë thuhet se Murseli, Plava dhe Kokalla ishin dakorduar paraprakisht që vrasja të kryhej nga i akuzuari Plava me marrëveshje që Murseli t’ia paguante atij 30 mijë euro. I gjithë plani për vrasjen e Liridonës thuhet se u bë nga bashkëshorti i saj, tani i akuzuari Naim Murseli, si pasojë e çrregullimit të raporteve familjare e martesore, ku edhe lindi dëshira e tij për hakmarrje. /Zëri