Gjendja shëndetësore e policëve të lënduar në aksidentin me fatalitet në Skenderaj, njëri pësoi lëndime në tru

Gjendja shëndetësore e policëve të lënduar në aksidentin me fatalitet në Skenderaj, njëri pësoi lëndime në tru

Kronika January 27, 2025 - 10:26

Tre persona të kanë mbetur të vdekur si pasojë e një aksidentit të rëndë që ndodhi mbrëmë në fshatin Çubrel të Skenderajt.

Si pasojë e këtij aksidenti, ku të përfshira ishin dy automjete, njëra veturë zyrtare e Policisë, të lënduar mbetën edhe pesë persona të tjerë, katër prej tyre zyrtarë policorë.

Aktualisht në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë duke u trajtuar tre prej zyrtarëve policorë të lënduar në këtë aksident.

Kështu ka bërë të ditur drejtori i Klinikës Emergjente në QKUK, Naser Syla.

Ai bëri të ditur se të njëjtit janë transferuar në Klinikën e Ortopedisë.

Ndërkaq doktoresha Vlora Podvorica, ortopede-traumatologe ka thënë për Telegrafin se në Klinikën e Ortopedisë janë duke u trajtuar dy prej zyrtarëve policorë të lënduar, ndërkaq një tjetër është transferuar në Neurokirurgji.

Podvorica ka theksuar se gjendja e tyre është stabile dhe se njëri planifikohet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjike.

“Në Klinikën e Ortopedisë për momentin janë dy të pranuar. D.E. (1995) Pejë ka frakturë multifragmentare e femurit – gjendja e përgjithshme stabile, planifikohet për ndërhyrje kirurgjike. Pacienti tjetër E.R (2002) ka frakturë të murit të pasmë të acetabulumit, gjendja e përgjithshme stabile, vazhdon me trajtim konservativ”, ka theksuar doktoresha Podvorica.

E njëjta ka bërë të ditur se gjatë natës së mbrëmshme është operuar edhe zyrtarja policore B.H (2003) dhe e njëjta është dërguar për reanimim në Neurokirurgji për shkak të lëndimeve në tru.

“Dje gjatë natës është operuar B.H (2003) Pejë, për shkak të frakturës së hapur kercirir, por për shkak të lëndimeve në tru është duke u përcjellë në reanimim nga Neurokirurgjia”, ka thënë për Telegrafin doktoresha Vlora Podvorica.

Tre personat që humbën jetën në këtë aksident ishin të familjes Gashi nga Peja.

Kështu ka bërë të ditur edhe kryetari i kësaj komune, Gazmend Muhaxheri, i cili u ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave.