Aktakuzë ndaj tre personave për rastin “Albkings”
Prokuroria Themelore në Prishtinë njofton se ka ngritur aktakuzë ndaj F.P., E.N. dhe E.S., lidhur me rastin “Albkings”.
Prokurori i Shtetit njofton se aktakuza në këtë rast u ngrit pas një pune të pandërprerë hetimore.
“Aktakuza është ngritur kundër të pandehurve F.P., E.N. dhe E.S. Kundër të pandehurve rëndojnë veprat penale ‘Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve në bashkëkryerje’, nga Neni 277/H, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Ligjit Nr. 08/L-188 për Plotësimin dhe Ndryshimin e Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe lidhur me nenet 31 dhe 77 të KPRK-së, ‘Shantazhi’, nga Neni 329, paragrafi 1 lidhur me Nenin 77 të KPRK-së dhe ‘Shtrëngimi’ nga Neni 192, paragrafi 1 i KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Bëhet e ditur se tre të akuzuarit kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranim fajësie.
“Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokurori i Shtetit ka deponuar aktakuzën së bashku me marrëveshjet përkatëse për pranimin e fajësisë, të cilat janë arritur ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe të pandehurve”, njofton Prokuroria.
Kujtojmë se ish-administratori i “Albkings”, Edin Nevzadi, ishte arrestuar më 17 prill 2024, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vjedhje të identitetit dhe kredencialeve”.
Ai u lirua nga paraburgimi në tetor 2024.
Në Dosjen e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi” thuhej se ekziston dyshimi i bazuar se në vazhdimësi nga muaji nëntor i vitit 2023 e deri më 12 shkurt 2024 në Obiliq dhe qytete të tjera të ndryshme të Kosovës, në cilësi të njërit nga administratorët e grupit “Albkings” në aplikacionin Telegram e duke vepruar në bashkëkryerje me personat NN ende të paidentifikuar, Nevzadi ka ofruar dhe shpërndarë tek personat e tretë pa autorizim fotografi dhe video-intime të të dëmtuarës A.A. dhe numrin e telefonit të së dëmtuarës B.B., kinse e njëjta ofron shërbime seksuale.