Kallashnikov e pajisje për prodhimin e kriptovalutave në bagazhin e veturës, arrestohet 52-vjeçari në veri
Një 52-vjeçar është arrestuar mëngjesin e sotëm në veri të Mitrovicës.
Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, në bagazhin e veturës së të dyshuarit janë gjetur armë dhe pajisje për prodhimin e kriptovalutave, shkruan Zeri.info.
I njëjti dyshohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Po ashtu bëhet e ditur se i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Njoftimi i plotë i Policisë së Kosovës, pa ndërhyrje:
Arrestohet një person për veprën penale “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Mitrovicë veri , 27 janar 2025
Njësitet policore nga Stacioni Policor në Mitrovicë veri, më datë 27.01.2025, gjatë një kontrolli rutinë, kanë ndaluar një automjet, ku pas kontrollit të detajuar në bagazhin e automjetit kanë gjetur dhe më pas kanë konfiskuar:
Një (1) armë e llojit AK-47
Një (1) karikator
Pesë (5) fishekë të kalibrit 7.62 mm, si dhe
Pajisje për prodhimin e kriptovalutave.
Në cilësinë e të dyshuarit është arrestuar personi S.D., 52-vjeçar, shtetas i Republikës së Kosovës. I njëjti, me urdhër të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.
Ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve’’.
Këto aktivitete policore pasqyrojnë përkushtimin dhe përpjekjet tona të vazhdueshme kundrejt armëve të zjarrit pa leje, për të garantuar sigurinë publike për respektimin e ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave të të gjithë qytetarëve.
Në të njëjtën kohë i bëjmë thirrje publikut të raportojë çdo aktivitet të dyshimtë për të na ndihmuar në misionin tonë për të ruajtur paqen dhe sigurinë. /Zëri