Aksidenti tragjik në magjistralen Mitrovicë – Pejë, krejt çka dihet deri tani
Tre persona kanë mbetur të vdekur e pesë të tjerë janë lënduar, prej tyre katër zyrtarë policorë të dielën në një aksident trafiku në rrugën rajonale Mitrovicë - Pejë, në segmentin rrugor në fshatin Çubrel të Skenderajt
Policia e Kosovës ka njoftuar se në aksident janë përfshirë dy vetura, ku njëra prej tyre ishte veturë zyrtare e Policisë.
Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, derisa hetuesit rajonalë të trafikut rrugor po merren me rastin.
“Rreth orës 18:40, është raportuar për aksident trafiku me pasoja fatale, i cili ka ndodhur në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë, segmenti rrugor në fshatin Çubrel të Skenderajt. Në këtë aksident janë përfshira dy vetura, njëra prej tyre veturë zyrtare e policisë. Si pasojë e aksidentit, bazuar në informacionet e siguruara kanë humbur jetën tre persona civil, përderisa lëndime kanë pësuar edhe pesë persona tjerë, katër prej tyre zyrtarë policor. Njësitë policore dhe stafi menaxhues kanë dalur në vendin e ngjarjes, ndërsa për hetimet dhe shkaqet e aksidentit po merren hetuesit e njësitit rajonal të trafikut rrugor”, thuhet në njoftimin e policisë.
Kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka konfirmuar se tre anëtarët e familjes Gashi që vdiqën në aksidentin në Çubrel të Skenderajt, janë nga Peja.
Muhaxheri tha se: “kjo është një humbje e madhe për qytetin tonë dhe një moment pikëllimi të thellë për të gjithë ne”.
Ai shpreh ngushëllime të sinqerta për familjen Gashi dhe të afërmit e tyre.
“Me dhimbje të thellë morëm lajmin tragjik për aksidentin e rëndë që ndodhi në Çubrel të Skenderajt, ku humbën jetën tre anëtarë të familjes Gashi nga Peja. Kjo është një humbje e madhe për qytetin tonë dhe një moment pikëllimi të thellë për të gjithë ne. Në këto çaste të vështira, i shprehi ngushëllimet më të sinqerta familjes Gashi, të afërmve dhe miqve të tyre. Peja dhe gjithë qytetarët e saj janë pranë jush në këto momente të rënda”, ka shkruar ai.
Për aksidentin e rëndë ka reaguar edhe kryeministri Albin Kurti, i cili ka shprehur ngushëllime familjarëve të viktimave, ndërkaq të lënduarve shërim sa më të shpejtë.
“Lajmi për aksidentin e trafikut ku 3 persona humbën jetën në rrugën rajonale Mitrovicë-Pejë na jep dhimbje të madhe. Dua të shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta për këtë ngjarje trishtuese, duke iu drejtuar familjarëve të viktimave e duke shpresuar që të kenë forcën për ta përballuar humbjen e tyre. Njëkohësisht, uroj shërimin sa më të lehtë dhe sa më të shpejtë për 5 të lënduarit e këtij aksidenti”, ka thënë Kurti.
Ai shtoi se autoritetet përkatëse janë duke punuar për të siguruar një pasqyrë të plotë të rastit dhe bëri thirrje për kujdes të shtuar në trafik.
“Konsideroj se shumë shpejt do të kemi një pasqyrë edhe më të plotë për rastin, ndërkohë që marr shkas për të bërë thirrje për kujdes të përgjithshëm në komunikacionin automobilistik, për të evituar sa më shumë fatkeqësitë”, shkroi Kurti në Facebook.
Edhe Glauk Konjufca ka shprehur ngushëllimet e tij për vdekjen e tre personave.
“Thellësisht i tronditur me humbjen e tri jetëve në aksidentin në Magjistralen Mitrovicë – Pejë, saktësisht në fshatin Çubrel. Familjarëve të viktimave, miqve dhe të afërmve të tyre, u shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Shpirti i tyre u prehtë në paqe! Të lënduarve të tjerë shërim sa më të shpejtë”, ka shkruar ai.
Një mesazhe prekëse ka bërë edhe vëllai i një prej viktimave, i cili ka shprehur dhimbjen e madhe për vdekjen e motrës së tij dhe dhëndrit.