Prokuroria jep detaje tjera rreth vjedhjes së arit në Prizren, kërkon paraburgim për të arrestuarin

Prokuroria jep detaje tjera rreth vjedhjes së arit në Prizren, kërkon paraburgim për të arrestuarin

Kronika January 26, 2025 - 15:42

Prokuroria Themelore në Prizren, ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit për vjedhjen në njërën prej argjendarive në Prizren.

Prokuroria përmes një njoftimi për media ka bërë të ditur se pas ndërmarrjes së veprimeve hetimore dhe pas një pune operative, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës – Drejtorinë Rajonale në Prizren, kanë arritur që me datë 24.01.2025 të arrestojnë personin me inicialet Sh.H., nga fshati Greme – Komuna e Ferizajt, për shkak të dyshimit të bazuar se në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vjedhja e rëndë”.

“I pandehuri i arrestuar, dyshohet se me datë 12.01.2025, rreth orës 03:45min, në njërën prej argjendarive në Prizren, duke vepruar në bashkëveprim me të pandehurit tjerë NN (gjer më tani të paidentifikuar), pas një planifikimi paraprak dhe koordinimi në mes vete, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore të kundërligjshme, ia marrin pasurinë të dëmtuarit A.B., (pronar i argjendarisë), në atë mënyrë që duke shfrytëzuar momentin kur në lokalin e të dëmtuarit nuk ishte askush, me përdorim të forcës fizike dhe të pajisur me mjete të përshtatshme e hapin derën e lokalit dhe e dëmtojnë alarmin, ku hyjnë brenda në lokal. Më pas depërtojnë në lokal, e dëmtojnë kasafortën dhe arrijnë ta hapin dhe të marrin 3 kg ari dhe 1 kg argjend në vlerë prej 168.000.00 euro dhe pastaj të pandehurit largohen nga dera kryesore në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, lidhur me rastin me kërkesë të Prokurorisë Themelore në Prizren, është lëshuar urdhërkontrolli nga Gjykata Themelore në Prizren, ku janë kontrolluar objekti i banimit i të dyshuarit së bashku me objektet përcjellëse në fshatin Greme.

“Gjatë kontrollit janë gjetur dëshmi dhe prova të shumta të cilat janë sekuestruar. Gjithashtu, si provë materiale është sekuestruar automjeti me të cilin është kryer vepra penale. Prokuroria Themelore në Prizren, për të pandehurin Sh.H., brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesë për caktim të masës së paraburgimit”, thuhet në njoftim.

Prokuroria Themelore në Prizren thekson se mbetet e përkushtuar në luftën ndaj kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe vënien para drejtësisë të të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin.