Vrasja pas një fjalosje, Apeli vërteton dënimin me 39 vjet e gjashtë muaj burgim për tre të akuzuarit
Gjykata e Apelit e ka vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, ku Shukri dhe Rexhep Rexhepi ishin dënuar se, në bashkëkryerje, pas një fjalosjeje, kishin vrarë B.M. në Baks të Skenderajt në vitin 2022, ndërsa Fiton Musliu ishte dënuar për vrasje të mbetur në tentativë.
Më 24 korrik 2024, Shukri Rexhepi ishte dënuar me 23 vjet burgim për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje, Rexhep Rexhep me 13 vjet burgim për ndihmë në kryerjen e vrasjes së rëndë, dhe Fiton Musliun me 3 vjet e 6 muaj burgim për vrasje të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje.
Në aktgjykimin e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, Gjykata e Apelit thekson se Prokuroria Themelore kishte apeluar aktgjykimin e Themelores, duke pretenduar se ka pasur gabime në vërtetimin e gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit Penal, dhe kërkon ndryshimin e aktgjykimit me dënim më të lartë për të akuzuarit.
Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Amir Bunjaku kishte mbështetur ankesën e Prokurorisë për dënimin dhe kërkon një dënim më të lartë për të akuzuarit, duke kundërshtuar ricilësimin e veprës penale të Rexhep Rexhepit, pasi sipas tij, vrasja e B.M është kryer në bashkëkryerje.
Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Shukri Rexhepi, avokati Mahmut Halimi kishte paraqitur ankesë për shkelje të procedurës penale dhe kërkon anulimin e aktgjykimit, lirimin e të akuzuarit nga akuza e vrasjes dhe dënim më të butë për armëmbajtje pa leje.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Rexhep Rexhepi, avokati Shyqyri Syla kishte paraqitur ankesë për shkelje të procedurës penale, duke kërkuar ndryshimin ose rivendosjen e aktgjykimit dhe lirimin e të akuzuarit nga akuza, ose shqipton dënim më të butë nëse Apeli konstaton veprim të drejtë nga Themelorja.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarit Fiton Musliu, avokati Gani Rexha kishte paraqitur ankesë për gabime në vërtetimin e gjendjes faktike, duke kërkuar ndryshimin e aktgjykimit për të shpallur të akuzuarin fajtor për vrasje në gjendje tronditjeje mendore dhe dënim më të butë.
Gjykata e Apelit, pasi shqyrtoi të gjitha shkresat e kësaj çështjeje penale, dhe pasi vlerësoi pretendimet e cekura në ankesa gjeti se ankesat nuk janë të bazuara.
Sipas vendimit të Apelit, kolegji i gjyqtarëve ka gjetur se Themelorja me rastin e marrjes së aktgjykimit nuk është përfshirë në shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat do ta kushtëzonin anulimin e aktgjykimit të ankimuar.
Apeli po ashtu ka vlerësuar se aktgjykimi i Themelores është në harmoni me vetveten, me një arsyetim të kuptueshëm dhe të qartë duke përfshirë të gjitha faktet vendimtare që karakterizojnë veprat penale për të cilat ngarkohen të akuzuarit.
Në vendimin e Apelit, thuhet se Themelorja vlerësimin e provave e ka bërë në pajtim me dispozitat ligjore, duke dhënë arsye të qarta dhe konkrete për vendin, kohën dhe mënyrën se si ka ardhur deri të kryerja e veprave penale nga ana e të akuzuarve.
Lidhur me ankesën e Prokurorisë për ricilësimin juridik të bërë nga Themelorja nga vepra penale “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” në veprën penale “Ndihma në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë” për të akuzuarin Rexhep Rexhepi, sipas Apeli një ricilësim i tillë ka qenë i drejtë dhe i bazuar në prova të administruara gjatë këtij procesi gjyqësorë.
Ndërsa, aty thuhet se nuk është vërtetuar se i akuzuari Rexhep Rexhepi e ka ka kryer veprën penale të armëmbajtjes pa leje.
Apeli ka vlerësuar se Gjykata e shkallës së parë drejtë dhe në mënyrë të plotë e ka vërtetuar gjendjen faktike dhe në këtë çështje penale nuk ka mbetur pa u vërtetuar asnjë fakt vendimtar.
Tutje, Apeli ka theksuar se Themelorja ka vendosur drejtë lidhur me lartësinë e dënimit me burgim pasi që me një dënim të tillë të tjerët dhe të akuzuarit do të parandalohen nga kryerja e veprave penale në të ardhmen.
“Prandaj, kjo gjykatë vlerëson se dënimi i shqiptuar ndaj të akuzuarve nga ana e Gjykatës së shkallës së parë është në harmoni me intensitetin e rrezikshmërisë shoqërore të veprave penale të kryera dhe shkallën e përgjegjësisë penale të të akuzuarve, intensitetin e rrezikimit apo pasojave të shkaktuara dhe se me të do të parandalohen të akuzuarit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen, si dhe do të parandalohen personat tjerë nga kryerja e veprave penale.”, thuhet në aktgjykimin e Apelit i nxjerr më 15 janar 2024, nga kolegji i përbërë nga
gjyqtarët Hashim Çollaku, kryetar i kolegjit, Kadrije Goga Lubishtani dhe Valbona M Selimaj, anëtarë të kolegjit.
Ndryshe, i akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Agim Musliu, ndaj të cilit ishte veçuar procedura pas pranimit të fajësisë për armëmbajtje pa leje.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 19 qershor 2023 ka ngritur aktakuzë kundër Shukri Rexhepit, Rexhep Rexhepit, Fiton Musliut dhe Agim Musliut.
Shukri dhe Rexhep Rexhepi akuzohen se më 23 korrik 2022, në fshatin Baks, Komuna Skenderaj, në bashkëkryerje, kanë privuar nga jeta viktimën B.M, si dhe kanë plagosur të dëmtuarin Labinot Ademi. Rasti thuhet se ka ndodhur pas një fjalosjeje. Kurse, Fiton Musliu akuzohet se me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes mirëpo që e njëjta ka mbetur në tentativë, pasi i njëjti ka shkrepur me pushkë të gjuetisë me qëllim që ta privojë nga jeta Shukri Rexhepin. Kurse, Agim Musliu thuhet se ka mbajtur në posedim armë të zjarrit- pushkë e gjuetisë në kundërshtim me Ligjin për Armë. /BetimipërDrejtësi