Goditet rrjeti drogës nga Shqipëria, Bullgaria, Kolumbia dhe Spanja, 6 tonë kokainë e 6 milionë euro të sekuestruara

Goditet rrjeti drogës nga Shqipëria, Bullgaria, Kolumbia dhe Spanja, 6 tonë kokainë e 6 milionë euro të sekuestruara

Kronika January 24, 2025 - 16:05

Organizata policore europiane e luftës kundër krimit “Europol” tha se në bashkëpunim me autoritetet spanjolle shkatërroi një rrjet të gjerë të trafikut të drogës duke sekuestruar 6 ton kokainë dhe 6 milionë euro.

Sipas Europol nga një hetim që përfshiu Bullgarinë, Kolumbinë, Kosta Rikën dhe Panamanë, nisur në qershor të vitit 2022, u zbulua se anëtarët e rrjetit ishin shtetas nga Shqipëria, Bullgaria, Kolumbia dhe Spanja, të cilët organizuan trafikimin e sasive të mëdha të kokainës nga vendi i origjinës në Evropë.

Sipas Europol secili prej anëtarëve të organizatës mori rol të ndryshëm brenda zinxhirit të trafikut të drogës.

“Anëtarët shqiptarë, me qendër në Dubai, vepruan si investitore dhe siguruan financat e nevojshme për të paguar prodhuesit për dërgesat nga Kolumbia”, thotë Europol, ndërsa shtetasit kolumbianë trajtonin dërgesat nga Kolumbia në Evropë, shtetasit bullgarë, kolumbianë dhe spanjollë mbikëqyrnin marrjen dhe shpërndarjen e mëtejshme të drogës.

Nga hetimet policore, siaps Europol, ka rezultuar se anëtarët e rrjetit u fshehën në një kontejner për të hyrë fshehurazi në port dhe me ndihmën e punëtorëve të korruptuar nxorrën kokainën gjatë natës. Europol thotë se anëtarët e rrjetit pastronin të ardhurat nga krimet e tyre dhe sipas policsë rrjeti kriminal kishte kapacitet për të marrë deri në një ton kokainë në javë.

Në tetor 2024, autoritetet kapën 4.1 ton kokainë në Panama, me destinacion Spanjën, në lidhje me këtë rrjet.

Sipas Europol rrjeti dyshohet se është i lidhur me konfiskimet e kokainës me një total prej rreth gjashtë tonësh. Gjithashtu, autoritetet e zbatimit të ligjit kishin sekuestruar edhe dy ton kokainë në Spanjë që nga fillimi i hetimeve.

Në rezultatet e aksionit, të realizuar në tre faza, midis dhjetorit 2024 dhe janarit 2025 Europol thotë se janë kryer 22 arrestime në Spanjë si dhe 27 bastisje shtëpish.

Europol thotë se krahas sasive të drogës sekuestroi 6.5 milionë euro cash, 35 automjete, përfshirë 8 makina luksoze (vlerësuar rreth 2.5 milionë euro), orë luksoze dhe stoli ( vlerësuar rreth 1.5 milionë euro) 48 armë si dhe 53 llogari bankare të ngrira nëpër banka.

Siaps Europol rritja e dërgesave të kokainës nga Amerika e Jugut në Evropë, si dhe depërtimi i rrjeteve kriminale në biznese të ligjshme dhe të paligjshme në Bashkimin Europain nxiti krijimin e një Task Force Operacionale në Europol.

Europol tha se koordinoi gjatë hetimit, shkëmbimin e informacionit midis autoriteteve kombëtare, duke i bashkuar ato për të synuar në mënyrë efikase të gjithë rrjetin e trafikut të drogës.