Policia në kërkim të një personi në Gjakovë, dyshohet se kreu vjedhje në një xhami

Policia në kërkim të një personi në Gjakovë, dyshohet se kreu vjedhje në një xhami

Kronika January 23, 2025 - 15:23

Policia e Kosovës ka kërkuar bashkëpunim nga qytetarët për identifikimin dhe arrestimin e një personi në Gjakovë.

Në njoftimin e bërë për media, Policia njofton se i dyshuari kërkohet për vjedhje të rëndë.

“Policia e Kosovës, Drejtoria Rajonale e Policisë në Gjakovë, në bazë të autorizimit të lëshuar nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, bën publikimin e fotografisë me qëllim të përcaktimit të identitetit të të dyshuarit, në mënyrë që të vijmë deri te zbatimi sa më efektiv i procedurës penale dhe atë në drejtim të veprës penale “vjedhje e rëndë”. Rasti ka ndodhur në një xhami në qytetin e Rahovecit, me datë 07.12.2024, ku i dyshuari ka hyrë në objektin fetar, dhe duke përdor mjete të forta dyshohet se ka vjedhur paratë që ishin në arkën e objektit fetar, para të cilat besimtarët i kishin lënë në baza vullnetare”, ka njoftuar Policia.

Po ashtu, në njoftim thuhet se hetimet intensive të zhvilluara deri më tani nga Sektori i Hetimeve në Stacionin Policor në Rahovec, në bashkëpunim me njësitë tjera policore, nuk kanë rezultuar ende në gjetjen dhe arrestimin e të dyshuarit, përkundër përpjekjeve të vazhdueshme hetimore dhe operative.

“Policia e Kosovës kërkon bashkëpunimin e qytetarëve, nëse kanë ndonjë informacion mbi identitetin apo vendndodhjen e të dyshuarit të paraqitur në fotografinë e publikuar, të njoftojnë menjëherë policinë, stacionin më të afërt policor, apo përmes numrave të telefonit 192 (pa pagesë) dhe 0390310482 Drejtorinë Rajonale të Policisë në Gjakovë”.

Policia sqaron se çdo informacion i ofruar që do të ndihmojë në zbardhjen e këtij rasti do të trajtohet në mënyrë konfidenciale. /Zëri

Image