Në Apel, mbrojtja thotë se Muhamet Alidemaj u dënua për krime lufte shkaku i presionit të opinionit dhe mediave

Në Apel, mbrojtja thotë se Muhamet Alidemaj u dënua për krime lufte shkaku i presionit të opinionit dhe mediave

Kronika January 23, 2025 - 14:50

Në Gjykatën e Apelit të enjten është shqyrtuar ankesa e mbrojtjes ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Muhamet Alidemaj është dënuar me 15 vjet burgim për krime lufte në Izbicë më 1999.

Ndaj vendimit të Themelores, mbrojtja e Alidemajt ka paraqitur ankesë, me pretendimin për parregullsi në këtë proces, duke pretenduar se vendimi i shkallës së parë është marrë nën presionin e opinionit dhe mediave, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Avokati Millosh Deleviq ka thënë se nuk ka prova të besueshme që e inkriminojnë drejtpërdrejt Alidemajn dhe se dëshmitë e dëshmitarëve të Prokurorisë kanë qenë kontradiktore.

Dy mbrojtësit e Alidemajt, avokatët Millosh Deleviq dhe Dejan Vasiq kanë paraqitur ankesë ndaj vendimit të Themelores për shkak të, siç thonë ata, shkeljeve thelbësore të Kodit Penal dhe përcaktimit të gabuar të gjendjes faktike.

Deleviq ka thënë se trupi gjykues i shkallës së parë e ka dënuar një njeri të pafajshëm, janë nënshtruar presionit të opinionit dhe kanë marrë një vendim pa prova adekuate.

“Asnjë dëshmitar nuk e ka konfirmuar qartë dhe pa dyshim që Muhamet Alidemaj ka marrë pjesë në masakër ose ka dhënë urdhra”, tha avokati.

Gjithashtu, mbrojtja ka theksuar se të gjithë dëshmitarët kanë filluar të përmendin Alidemajn 22 vjet pas luftës dhe se para kësaj nuk ka pasur asnjë kallëzim ndaj tij.

Sipas pretendimeve të tyre, akuzat janë bazuar në dëshminë e një personi, për të cilin është parashtruar se ka pasur një konflikt personal me babanë e të akuzuarit në lidhje me një tokë.

“Gjykata e shkallës së parë nuk ka vlerësuar këtë asnjëherë, dhe ne vlerësojmë këto deklarata të dëshmitarëve si të pabaza – supozohet se dëshmitari e ka parë Muhametin nga rreth 50 metra, duke lëvizur me njësi paramilitare, asnjëherë nuk e ka thënë këtë më herët”, tha Deleviq.

Sipas mbrojtjes, Alidemaj në periudhën kritike, që nga viti 1998, ka jetuar në Serbi, në Jakovë afër Beogradit, ku ka qenë i punësuar dhe ka jetuar me familjen e tij.

Sipas tyre, i akuzuari është kthyer në Kosovë vetëm pas luftës, kur ka dashur të vizitojë babanë e tij për shkak të sëmundjes. Për kthimin në territorin e Republikës së Kosovës, ai ka kaluar nga pikëkalimi kufitar në Jarinjë me kartën e tij të identitetit, pa pasur asnjë problem.

Në përfundim të fjalës, avokati Dejan Vasiq ka shtuar se mendon që vendimi i shkallës së parë, sipas të cilit Alidemaj është dënuar me dënimin maksimal, është një ‘pasim i topit’ në Gjykatën e Apelit.

“I gjithë procesi është një hakmarrje e një dëshmitari ndaj babait të të akuzuarit, i cili ka shfrytëzuar faktin se ky njeri, për shkak të varfërisë, ka filluar jetën në Serbi, ku dhe është martuar”, tha Vasiq.

Vetë Alidemaj tha se është i pafajshëm dhe pret që drejtësia të vihet në vend.

“Se fëmija i dikujt me kajt, e i dikujt me qesh, pa kurrfarë fakti, gjynah është, Allahu është i madh. Veç Inshallah Allahu ua kthen, se unë s’po them as me u liru, besoj në drejtësi që drejtësia ka me dalë me u zbardhë”, tha Alidemaj.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 12 korrik 2024 e shpalli Muhamet Alidemajn fajtor dhe e dënoi me 15 vjet burg për krime lufte gjatë vitit 1999 në Izbicë. Ndaj tij u shpall aktgjykim refuzues për dispozitivin e dytë, ku ngarkohej për zhvarrosjen e trupave me ekskavator, pasi në fjalën përfundimtare në seancën e 9 korrikut 2024, prokurori Ilir Morina u tërhoq nga pika e dytë e dispozitivit të aktakuzës, për shkak se nuk ishte arritur të vërtetohet se i akuzuari Alidemaj ka marrë pjesë në zhvarrosjen e viktimave.

Ndryshe, sipas aktakuzës së përpiluar më 29 mars 2022, Muhamet Alidemaj gjatë periudhës kohore 24 mars 1999 – 11 qershor 1999, gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë, si pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe, së bashku me pjesëtarët e tjerë të forcave policore dhe ushtarake serbe, me dhunë i ndajnë gratë e fëmijët dhe dhunshëm i detyrojnë që të shkojnë në drejtim të Shqipërisë.

Ndërsa, aktakuza thotë se burrat e mbetur i ekzekutojnë me armë automatike duke i vrarë 130 persona, prej të cilëve 114 viktima u identifikuan, kurse 12 civilë i mbijetuan ekzekutimit. Pas dy muajve, thuhet se i zhvarrosën trupat me ekskavator dhe i larguan duke i transportuar me disa kamionë në drejtim të panjohur. Ndërsa, pas përfundimit të luftës trupat e viktimave u gjetën në varreza masive në Batajnicë të Serbisë, në fshatin Suhodoll të Mitrovicë dhe në fshatin Novolan të Vushtrrisë.

Me këtë, akuzohej se në bashkëkryerje, e ka kryer veprën penale “Krimi i luftës kundër popullsisë civile”, e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, si ligj në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, aktualisht i sanksionuar sipas veprës penale “Krimet e luftës në shkelje të rëndë të nenit 3 të përbashkët për konventat e Gjenevës”, nga neni 146, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.