Mbahet seancë gjyqësore për rastin “Kobra”, jep dëshminë babai i viktimës
Në seancë gjyqësore në rastin “Kobra”, ku biznesmeni Dibran Hoxhaj, i njohur si “Kobra” akuzohet për vrasjen e Visart Cengut, ka dhënë dëshminë e tij babai i viktimës, Behar Cengu.
Babai i viktimës, Behar Cengu, ka thënë se si familje ia kanë lënë në dorë që drejtësia të vendos drejtësi për djalin e tyre.
Prokurorja Merita Bina Rugova ka pyetur dëshmitarin rreth humbjes së jetës së Visarit.
“A mundeni të tregoni diçka se si e ka humbur jetën Visari”, ka pyetur ajo.
Babai i viktimës Visar Cengut, Behar Cengu, në pyetje:“Unë jam vënë në dijeni, kam qenë në punë në atë kohë, kishte dal djali si gjithmonë sepse sa ishte kthyer nga Franca. Në orën 4 kishte dal kishte dhe ngrënë bukë dhe kishte dal nga shtëpia. I ka marrë në telefon dy shokët dhe kerrin e ka lënë te fakulteti në Kukës. Ishte natë nuk u kthye djali mendova që është në një darkë apo diku Kuptohet se prisnim nuk e zë gjumi kur nuk kthehet djali në shtëpi. Dola në qytet, i rashë në telefon djalit, ka qenë ora 3:30 e natës kisha shërbimin. E thirra shokun e shërbimit, ata e kishin kuptuar ngjarjen po na familja nuk kishim dëgjuar. Ai shoku më pyeti se a ka Behar tjetër në Kukës, ai shoku i punës më ka thënë shko në spital, aty e gjeta djalin. Sa herë që ka ardhur nga mërgimi kanë ardhur në Kosovë. Nuk kemi dëgjuar se djali ka pasur diçka me veti, ndoshta edhe lek nuk ka pasur në kohën kur ka dal nga shtëpia. Djali nuk ka poseduar armë. Unë dua drejtësi karshi djalit, unë dhe gjithë familja ime”, tha ai.
Avokati i të akuzuarit Florent Latifaj ka pyetur dëshmitarin Cengu nëse familja e tij ka pasur problem me familjen e Dibran Hoxhës ose me dikë në Kosovë.
“Kur shkuat në spital kë e keni takuar aty. I plagosuri kush ka qenë. Arben Gashin a e takuat. A jeni takuar me Rutgen dhe Arbenin. Deri me sot kur po flasim, keni pasur kontakte dhe biseduar me ta. Familja juaj më e gjerë a ka pasur problem me familjen e Dibran Hoxhës ose me dikë në Kosovë”, tha ai.
Cengu duke iu përgjigjur avokatit ka thënë se nuk kanë pasur problem me askënd në Kosovë.“Në orën 6 e kam takuar djalin, pastaj ka pasur njerëz aty. Personat i plagosuri ka ikur për Tiranë, vëllai im ka qenë i vogëli prezent aty. Ka pasur shumë nuk më kujtohen të gjithë. Edhe djali im me ambulancë ka shkuar në Tiranë. I plagosuri ka qenë Rutgen Shehu. Po kanë marr pjesë në varrim edhe në ngushëllime. Jo se të dy janë jashtë. Jo me atë por me askënd në Kosovë”, tha ai.
Gjyqtari Vesel Ismali, ka pyetur dëshmitarin Cengu se çfarë njohurish ka për ngjarjen që i ka ndodhur djalit të tij.
Cengu ka thënë se nuk më shumë se nuk ka qenë në ngjarje, por ka kërkuar që drejtësia të kryejë punën e vet.
“Ata kanë deklaruar te vëllai, jo të unë. Fëmijët i kam rritur me shumë sakrificë. Unë u kam dhënë shkollën fëmijëve e di unë si i kam rrit. Përfundimisht drejtësia duhet ta bëjë punën e vet. Ne e kemi lënë në dorën e drejtësisë, unë nuk di sepse nuk kam qenë në vend të ngjarjes”, tha ai.