Vrau shqiptarin me shtizë peshkimi, dënohet me 18 vjet burgim
Një gjykatë në Itali ka dënuar me 18 vjet burgim shtetasin algjerian që vrau me një shtizë peshkimi 23-vjeçarin shqiptar Klajdi Bitri në Sirolo të Ankonas më 27 gusht 2023.
Shqiptari 23-vjeçar ndërhyri për të ndihmuar shokun e tij italian që po konflikohej me algjerianin, kur ky i fundit e qëlloi në gjoks me shtizë peshkimi.
23-vjeçari vdiq pak minuta më vonë, ndërsa autori u largua nga vendngjarja, për t’u arrestuar disa orë më vonë nga policia, raporton A2CNN.
Prokurori Marco Pucilli kërkoi dënimin prej 24 vjetësh, ndërkohë që gjykata, përveç 18 viteve burg e dënoi të akuzuarin, gjithashtu të paguajë një kompensim prej 40 mijë eurove për prindërit e të riut.
Vendimi u dha pak para orës 15:00, të 21 janarit, pas gati tri orësh në dhomën e këshillimit. Në sallën e gjyqit ishte sjellë edhe shtiza e peshkimit, me të cilën ishte kryer krimi.