Prokuroria e Gjakovës kërkon paraburgim për tre inspektorët e arrestuar të ATK-së
Prokuroria Themelore në Gjakovë ka kërkuar masën e paraburgimit prej një muaji ndaj tre inspektorëve të Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), të cilët u arrestuan për marrje ryshfeti.
Këtë e ka konfirmuar zyrtari për komunikim publik i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drini Domi.
I njëjti konfirmoi se seanca dëgjimore pritet të mbahet gjatë së martës (21.01.2025) në Gjykatën Themelore në Gjakovë.
Sipas Prokurorisë, pas pranimit të informatës, ndaj të dyshuarve janë ndërmarrë edhe masat e fshehta hetimore.
“Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore – Gjakovë, pas pranimit të informatës se 3 (tre) të dyshuarit, në periudha të ndryshme kohore dhe në lokacione të ndryshme në Gjakovë, kishin kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të ndryshëm të bizneseve, ku me këto veprime dyshohet se kanë kryer veprën penale ‘marrja e ryshfetit’, Neni 421 i KPRK-së, ka ndërmarrë veprime hetimore – duke zbatuar edhe masat të fshehta hetimore, ndaj të njëjtëve”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjakovës.
Kurse, me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Gjakovës janë kryer edhe bastisje në disa lokacione.
“Ndërsa, më 20.01.2025, me urdhëresë të Gjykatës Themelore – Gjakovë, është kryer bastisje në 3 (tri) lokacione të ndryshme dhe, me vendim të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar 3 (tre) persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale ‘Marrja e ryshfetit’, Neni 421 i KPRK-së”, thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.