Operacioni ndërkombëtar kundër drogës, pesë të arrestuar në Shqipëri, trafikonin kokainë nga Amerika e Jugut
Policia e Shtetit bën me dije se në kuadër të një operacioni ndërkombëtar kundër trafikut të drogës, të nisur në Itali, janë vënë në pranga në Shqipëri pesë persona.
Sipas autoriteteve italiane, grupi kriminal trafikonte kokainë me automjete nga Amerika e Jugut për ta shitur në Itali dhe në shtete të Evropës Qendrore.
Deri tani, në kuadër të këtij megaoperacioni janë vënë në pranga 12 shtetas dhe po hetohen 8 të tjerë.
Në kuadër të megaoperacionit “ICARO.AL”, u vunë në pranga shtetasit Igli Dervishi 30 vjeç, Shkëlqim Pashja 44 vjeç, Ervin Dena 40 vjeç, banues në Elbasan dhe shtetasit Edmond Zhuja 41 vjeç dhe Genti Berisha 28 vjeç.
Më tej, informacioni i siguruar nga Policia shqiptare, mundësoi kapjen në Spanjë, të Gerardo Pashja alias Astrit Pashja, një tjetër pjesëtar i grupit, gjithashtu me precedent penal.
Gjithashtu, gjatë zhvillimit të këtij megaoperacioni, në Shqipëri, është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi M. M., 28 vjeç, i cili kërkohet dhe për vepra të tjera penale.
Këta shtetas akuzohen nga Gjykata e Breshias, Itali, se të organizuar si grup, kanë trafikuar lëndë narkotike Kokainë nga Amerika e Jugut, nëpërmjet automjeteve të modifikuara për fshehjen e lëndës narkotike dhe e kanë shitur atë në qytete të Italisë dhe në shtete të Evropës Qendrore.