Policia jep detaje për aksionin, ku u mbyllën disa institucione paralele serbe
Foto: Laura Hasani

Policia jep detaje për aksionin, ku u mbyllën disa institucione paralele serbe

Kronika January 15, 2025 - 15:44

Policia e Kosovës ka dhënë detaje në lidhje me aksionin e sotëm, ku janë mbyllur disa institucione të jashtëligjshme, të cilat vepronin në Kosovë.

Policia e Kosovës ka njoftuar se me njësitë e saj relevante, sot në orët e hershme të mëngjesit, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet përkatëse të Republikës së Kosovës, ka realizuar një operacion të gjerë policor, operacion ky i shtrirë në disa rajone të Kosovës: Prishtinë, Gjilan, Gjakovë dhe Mitrovicë Jugu, për ndërprerjen e aktiviteteve të disa institucioneve të jashtëligjshme që vepronin si komuna, posta, banka etj., të cilat ofronin shërbime të jashtëligjshme, kundër rendit kushtetues dhe ligjeve pozitive të Kosovës.

“Qëllimi i operacionit policor është vendosja e rendit dhe ligjshmërisë, ku Policia e Kosovës, bazuar në kërkesën e Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, ka asistuar zyrtarët e kësaj ministrie si dhe të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, për ndërprerjen e aktiviteteve të jashtëligjshme të këtyre institucioneve”.

“Të gjitha veprimet policore janë realizuar në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ku varësisht nga të gjeturat do të ndërmerren masat e mëtejme ligjore, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, thuhet në njoftimin e Policisë. /Zëri