Vëllai i Liridona Ademajt: Fëmijët dinë gjithçka, gjendja e tyre s’është aq e mirë
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj Naim Murselit, Kushtrim Kokallës, Granit Plavës dhe Tom Dodajt për vrasjen e Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023 në Bërnicë të Prishtinës.
Kjo është bërë e ditur sot përmes një konference për media, pas së cilës ka folur edhe vëllai i Liridona Ademajt, i cili tha se fëmijët e së ndjerës tashmë kanë kuptuar gjithçka dhe se gjendja e tyre nuk është aq e mirë, transmeton Zeri.info.
“Takohemi me fëmijë, fëmijët kanë kuptuar gjithçka, gjendja e tyre nuk është edhe aq e mirë. Për ta kujdeset shteti social, ata janë shumë të mërzitur”, tha Leonard Ademaj pas konferencës për media.
Ai shtoi se nuk e dinë motivin akoma, pasi nuk e kanë lexuar aktakuzën, ndërsa shtoi se është një ditë e rëndë për familjen dhe se presin drejtësi. /Zëri