Një vit pas vrasjes, ngrihet aktakuzë për rastin e Liridona Ademajt
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka bërë të ditur se kanë përfunduar hetimet dhe kanë ngritur aktakuzë për të akuzuarit për vrasjen e Liridona Ademajt. Të akuzuarit janë Naim Murseli, Kushtrim Kokalla dhe Granit Plava.
Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Zejnullah Gashi, ka theksuar në konferencë për media se ka qenë rast i ndjeshëm. Sipas tij, rasti ka qenë i inskenuar si grabitje, mirëpo falë angazhimit maksimal të hetuesve dhe prokurorëve, brenda një afati të shkurtër kohor kanë arritur të zbulojnë kryerësit e kësaj vepre kriminale.
“Ka qenë një rast jashtëzakonisht i ndjeshëm edhe sa i përket kompleksitetit të saj dhe janë zhvilluar hetime në shumë dimensione, për arsye se kemi siguruar ekspertiza edhe brenda, edhe jashtë Kosovës”, ka deklaruar Gashi.
Në konferencë kanë folur prokurorja e rastit e po ashtu edhe hetuesit.
Liridona Ademaj është vrarë më 29 nëntor të vitit 2023, ndërsa të dyshuarit për planifikimin dhe ekzekutimin e krimit të rëndë janë bashkëshorti i viktimës Naim Murseli, si edhe Granit Plava e Kushtrim Kokalla.
Rasti i vrasjes së 39-vjeçares fillimisht ishte hetuar si “grabitje me pasoja vrasje”, por hetimet intensive kishin rezultuar me arrestimin e tre personave, ku Murseli konsiderohet si koka prapa krimit tronditës.