Policia jep detaje për gjetjen e trupit të 26-vjeçarit në lumin Dri
Pas kërkimeve disaditore nga ekipet e Policisë së Kosovës dhe FSK-së, sot është gjetur trupi i 26-vjeçarit në lumin Dri, i cili ishte shpallur i zhdukur që nga dhjetori i vitit të kaluar.
Policia ka konfirmuar për “Zërin” se trupi i Arban Hisarit është gjetur nga një qytetar, i cili ka vërejtur trupin e tij në lumin Drini i Bardhë në afërsi të urës së fshatit Rugovë.
“Më datë 14.01.2025, rreth orës 08:20, Policia është informuar se një qytetar e ka vërejtur një trup të pajetë në lumin Drini i Bardhë në afërsi të urës së fshatit Rugovë. Me të marrë këtë informacion, hetuesit nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren dhe zyrtar nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës kanë dalë në vendngjarje, ku kanë vërejtur një trup të pajetë. Pas kontrollimit të viktimës nga njësitë përkatëse, në rrobat e viktimës janë gjetur dokumentacion personal në emër të Arban HISARI, 05.06.1998, si dhe rrobat të cilat i kishte viktima, ishin të njëjtat sikur në ditën kur është raportuar i zhdukur nga familjarët, andaj besohet se trupi i pajetë është i viktimës së lartcekur”, ka konfirmuar zëdhënës i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, Shyqeri Bytyqi.
Bytyqi shtoi se në lidhje me rastin është informuar edhe prokurori i Shtetit. /Zëri