Policia në Ferizaj kap kokainë, armë dhe mbi 19 mijë euro, arrestohet një i dyshuar
Në kuadër të një plani operativ të realizuar sot në Ferizaj, Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Ferizajt, ka kryer një aksion që ka rezultuar me arrestimin e një personi dhe sekuestrimin e substancave narkotike, armëve dhe një shume të madhe parash.
Gjatë kontrollit të kryer në një shtëpi dhe objekte përcjellëse, janë gjetur: 842.9 gramë kokainë, një pjesë e së cilës ishte groposur në kopsht, dy armë të shkurtra, njëra me leje dhe tjetra pa leje, katërmbëdhjetë fishekë, një peshore digjitale dhe disa kartela bankare.
Po ashtu janë gjetur edhe 19,288 euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga veprimtari të paligjshme.
Operacioni u realizua nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, në bashkëpunim me zyrtarët policorë të Stacionit Policor të Ferizajt.
I dyshuari, Q.T. (mashkull kosovar, 1992), është intervistuar dhe ndaj tij është hapur procedurë për veprat penale: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve si dhe mbajtja në pronësi ose kontroll të paautorizuar të armës”.
Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa hetimet vazhdojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e rastit.
Policia mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit dhe garantimin e sigurisë për qytetarët.