Detaje nga vdekja e 36-vjeçarit në QKMF-në në Podujevë

Detaje nga vdekja e 36-vjeçarit në QKMF-në në Podujevë

Kronika January 10, 2025 - 14:53

Një 36-vjeçar nga Podujeva ka vdekur në Qendrën e Mjekësisë Familjare. Ai kishte shkuar për kontroll mjekësor dhe derisa ishte duke marrë infuzion gjendja u përkeqësua.

Drejtori i QKMF-së ka folur për rastin, derisa trupi i viktimës është dërguar në IML për obduksion.

Familja Ahmeti nga fshati Peran hapi dyert për pamën e djalit të tyre 36-vjeçar, Fatlum Ahmeti, i cili vdiq të enjten, pasi kishte shkuar në Qendrën e Mjekësisë Familjare për vizitë mjekësore.

Drejtori i QKMF-së në Podujevë, Bajram Bajgora, dha detaje për televizionin se si ka ndodhur rasti.

“Pacienti në fjalë tashmë i ndjerë ka kërkuar ndihmë mjekësore në shërbimin e mjekësisë familjare. Është kontrolluar nga një specialiste familjare e cila ka caktuar marrjen e terapisë infuzive, një infuzioni. Pacientit i është vendos infuzioni, nga informacionet që kam nga stafi, që është marrë me rastin, thuhet se dikun pas një gjysmë ore, ka ndodhur një përkeqësim drastik i shëndetit dhe i njëjti është fut në dhomën e reagimit, ka qenë një doktoreshë e cila ka kërkuar ndihmë në QKMF dhe nga Emergjenca”, ka deklaruar ai.

Mirëpo Bajgora nuk dha informacione se si ishte gjendja e 36-vjeçarit kur u pranua në QKMF, për të cilin u raportua se kishte shkuar për grip sezonal.

“Sa i përket gjendjes se pacientit qysh është pranuar është deklaruar doktoresha në fjalë, në polici që e kanë kërkuar, ajo është fazë që ne nuk mundem të jepim të dhëna derisa nuk kemi ndonjë vendim të autopsisë dhe vendimin tutje të Prokurorit se si e cilëson rastin”, ka deklaruar Bajgora për Tëvë1.

Për rastin ka folur edhe drejtoresha e Shëndetësisë në Komunën e Podujevës, Adelina Stublla.

“Rasti ka ndodhur dje ku pacienti ka kërkuar ndihmë mjekësore në mjekësi familjare ku është kontrolluar nga mjeku specialist familjar, e cila ka caktuar marrje të terapisë infuzive ku gjatë marrjes së infuzionit ka ndodhë përkeqësim i gjendjes së pacientit ku i njëjti është reanimuar nga stafi shëndetësor (mes tyre edhe dy specialiste të Mjekësisë Familjare) në dhomën e reanimimit, pastaj kanë vazhduar dy ekipe të Urgjencës, ku vetë shefi i Urgjencës, specialist për Emergjencë e ka marrë rastin në dorë të cilët kanë kryer veprimet protokollare, por pa sukses rikthimi në jetë”, tha ajo.

Policia ka deklaruar se trupi i viktimës është dërguar për obduksion.

“Lidhur me rastin e lartcekur ekipi mjekësor ka konstatuar vdekjen e viktimës mashkull kosovar dhe më pas me urdhër të prokurorit kompetent trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion”, ka shkruar Policia në raportin 24-orësh.

Familjaret nuk kanë pranuar të flasin për këtë rast derisa të publikohet obduksioni.