Mbyllet edhe një institucion paralel i Serbisë në veri
Një institucion tjetër që funksiononte në kuadër të sistemit paralel të Serbisë në pjesën veriore të Mitrovicës, përkatësisht Administrata e Tatimit në të Ardhura, është duke u mbyllur.
Siç raporton mediumi në gjuhën serbe “Kossev”, në vendngjarje aktualisht ndodhen inspektorët e Krimeve Ekonomike, Policia e Kosovës, por shihen edhe pjesëtarë të EULEX-it, transmeton Zeri.info.
Disa prej punëtorëve tashmë janë larguar nga objekti, pasi kanë marrë gjërat personale nga këto ambiente.
“Është një institucion paralel. Ne sekuestruam dokumentacionin dhe thirrëm Njësinë e Krimit Tregtar. Është hapur një rast për falsifikim dokumentesh”, ka thënë zëvendëskomandanti i Policisë në Mitrovicën e Veriut, Veton Elshani.
Ai tha se disa persona janë duke u intervistuar sipas procedurës së rregullt. /Zëri