Arrestohen katër të dyshuar për posedim të narkotikëve, në mesin e tyre një zyrtar policor

Arrestohen katër të dyshuar për posedim të narkotikëve, në mesin e tyre një zyrtar policor

Kronika January 02, 2025 - 13:21

Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) janë njoftuar mbrëmë nga Policia e Kosovës për një rast të posedimit të paautorizuar të narkotikëve ku dyshohej se ishin përfshirë tre qytetarë dhe një zyrtar policor (jashtë detyrës zyrtare).

IPK njofton se më të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë qenë prezent edhe njësi të tjera policore dhe prokurori.

“Rasti raportohet të ketë ndodhur mbrëmë para mesnatës kur njësitë policore nga Stacioni Jugu në Prishtinë gjatë patrullimit në rrugën ‘Bejtush Gërbeshi’ kanë ndaluar një veturë në të cilën ndodheshin katër të dyshuarit.

Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur 2 qese të vogla të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit kokainë (me peshë 1.1 gram) dhe një qese e vogël që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë (me peshë 1 gram)”, thuhet në njoftim.

Gjatë kontrollit trupor te një nga pasagjerët është gjetur dhe konfiskuar një armë e kalibrit 7.65 mm dhe një karikator pa fishekë.

Në këtë rast janë arrestuar katër të dyshuarit përfshirë edhe zyrtarin policor dhe të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” (dhe armëmbajtje pa leje ndaj të dyshuarit nga i cili është konfiskuar arma e zjarrit).

Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

Hetuesit e IPK-së dhe të PK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast.